'Ditën që Kosova u shliru, kam vendos me ardh me pa dhe me jetu, kam punu për UNMIK-un'

Ish ambasadori i Shqipërisë në Angli, Mal Berisha ka rrëfyer jetën e tij në Kosovë.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, tregon që me të mbaruar lufta, ka jetuar në Kosovë 9 vjet, pasi që ka punuar për UNMIK-un.

“Ditën që Kosova u shliru kam marr një vendim të prerë, tani dua me shku me pa Kosovën, fill mas asaj kam ardh këtu, 5 vjet e para i kam bërë përtej urës së Ibrit”, thotë Berisha.

Ai ka rrëfyer edhe për përjetimet e tij gjatë asaj kohe dhe ballafaqimin e serbët.

“Kam përjetuar evakuime me trupa speciale nga sulmet që i bënin serbët Gjykatës, kam dëgju dëshmitë rrënqethëse të masakrave që i dëftonin dëshmitarët në sallën e gjyqit, kam përjetu zhgënjimin e tmerrshëm të një drejtësie të padrejt që njerëzit të cilët vinin dhe rrëfenin se si ua kanë vra fëmijen nëpër duar, si ja kanë marr djalin nga shpia, si ia kanë marr nipin nga shpia dhe që devalvoheshin dëshmitë e tyre……”, ka rrëfyer Berisha.

“….. ka ndodhur që pastaj për shkaqe që edhe sot e asaj dite demonstrohen në një mënyrë të caktuar në lidhje me atë se çfarë meriton Kosova dhe çfarë ka vuajt. Kishte njerëz nga ata ndërkombëtarët, të cilët punonin me agjendë të dikujt tjetër. Dhe ata ndërkohë që duhej të i jepnin drejtësi atij që ishte viktimë e këtij trajtimi çnjerëzor, gjenin mjete artificiale në mënyrë që të zhvleftësohej dëshmia”, rrëfen Berisha.

Ai kujton që përkthyesit serb që punonin në atë kohë për UNMIK-un, i thonin që ‘ju shqiptarët e Shqipërisë jeni më ndryshe, s’jeni si këta kosovarët”.

“Ju jeni më të qytetëruar z. Berisha, s’jeni si këta dhe unë ju thoja që nuk e dini se çka jam unë me ma pas bo atë që ua keni bërë kosovarëve këta janë shumë të durueshëm, kosovarët janë shumë të qytetëruar dhe shumë tolerant se po të ma kishi bërë mua këtë dhe njerëzve të mi, nuk do isha ky që jam…”, ka rrëfyer studiuesi Berisha.

Ndryshe Mal Berisha është studiues dhe diplomat shqiptar i cili ka shërbyer si ambasador në Angli.