Foto | Amanda Fisher, UNMIK

Në kujtim të 24 viktimave të aeroplanit të Kombeve të Bashkuara që u rrëzua në veri të Kosovës

Në vitin 1999, një aeroplan i Kombeve të Bashkuara me 24 civilë të misioneve humanitare u rrëzua në veri të Kosovës në një fluturim që vinte nga Roma derisa po sillte personel dhe ndihma humanitare në vendin e sapo dal nga lufta. 24 vite më vonë, BIRN sjell detaje nga aksidenti dhe përkujtimi për viktimat.

Mëngjesin e së premtes të 12 nëntorit të vitit 1999, një Aeroplan me misionarë e ndihma humanitare që ishte nisur nga Roma për t’i ardhur në ndihmë Kosovës së pasluftës, nuk arriti të ulej në aeroportin e Prishtinës pasi u rrëzua në malet e Shalës së Bajgorës.

Aksidenti që la të vdekur 24 persona tronditi vendin që ende po shërohej nga plagët e veta të shkaktuara nga lufta që kishte përfunduar vetëm 5 muaj më parë.

Aeroplani që ishte pjesë e Programit Botëror të Ushqimit u rrëzua pak minuta para se të mbërrinte të aeroportin e Prishtinës, në malin Piceli afër fshatit Sllakovc, derisa disa nga shkaqet konsiderohet të kenë qenë mangësitë procedurale, mungesa e vigjilencës në terren malor me shikueshmëri të dobët, hapja e aeroportit të Prishtinës për trafik civil pa vlerësim paraprak të kushteve të funksionimit ose të kushteve për shpërndarjen e informacionit aeronautik.

Aeroporti i Prishtinës ishte rihapur më 6 korrik 1999, derisa fluturimi i parë komercial u zhvillua më 15 tetor.

Bajgorë/Pamje e vendit të aksidentit, një ditë më vonë, më 13 nëntor 1999 | Fotografia: EPA/Alban Bujari

Laura Scotti, një nga viktimat e tragjedisë, po vinte në Kosovë për të ndihmuar me donacione në rindërtimin e shkollave të shkatërruara. Pas aksidentit, shkolla fillore në fshatin Grabovc të Fushë Kosovës mori emrin e Scotti, nga fondacioni Amici dei Bambini.

Drejtori i kësaj shkolle Gëzim Berisha në një deklarim për BIRN tha se nga dita e aksidentit ajror u vendos që shkollës t’i vihej emri i donatores që edhe kishte rastisur të jetë në atë fluturim.

“Kur po vendoseshin themelet e saj në vitin ’99, donatorja e projektit për ndërtimin e shkollës ndërroi jetë në aksidentin ajror dhe që nga ajo ditë u vendos që emri i Laura Scottit (donatores), të bartet me nderë si emri i shkollës” – tha Berisha.

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Laura Scotti” në fshatin Grabovc të Fushë Kosovës “ Foto: Shfmu “Laura Scotti”/Facebook

Misionet humanitare në ndihmë për vendin e shkatërruar nga lufta

Pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë nga qershori i vitit 1999, misione të shumta ndërkombëtare po ashtu morën rrugën drejt Kosovës në ndihmë të popullsisë që ishte në varfëri të skajshme, me shtëpi të shkatërruara, puseta të kontaminuara e shumë zona të minuara që pamundësonin edhe punim të tokës në shumë rajone.

Gjendja e tillë me mungesë të elementeve bazike për qytetarët e Kosovës bëri që Kombet e Bashkuara të nisnin ekipe të shumta për muaj me radhë të cilët sillnin ndihma materiale por edhe staf që ndihmonte në menaxhim të krizës.

Njëri prej ekipeve nuk e arriti destinacionin final pasi pak para se të mbërrinin në aeroportin e Prishtinës, aeroplani që ishte nisur nga Roma mëngjesin e 12 nëntorit  u zhduk nga radari në 11:15 pasi u rrëzua me 24 persona të bord duke shënuar kështu aksidentin më të madh të aviacionit në territor të Kosovës.

Familjarët e viktimave të aksidentit të aeroplanit të OKB-së gjatë aterimit në Prishtinë më 14 nëntor 1999, për të identifikuar trupat dhe për të vizituar vendin e rrëzimit që ndodhi të premten| Foto: EPA/Alban Bujari

Pasagjerët përfshinin 12 italianë, tre spanjollë, dy britanikë, një irlandez, një kenian, një person nga Banglladeshi, një australian, një kanadez, një irakian dhe një gjerman.

Mbetjet e 24 personave ishin tërhequr nga trupat e NATO-s, derisa kërkimi për gjetjen e tyre kishte qenë sfidues pasi atë kohë dyshohej se zona kishte qenë ende e minuar nga forcat serbe që verën e atij viti veçse ishin larguar nga Kosova.

Ciampino, Itali: Të afërmit e viktimave të rrëzimit të aeroplanit të OKB-së në Kosovë duke përqafuar dhe ngushëlluar njëri tjetrin | 15 nëntor 1999 | Foto/EPA /Luciano D Kastilo 

Fluturimi ‘Si Fly 3275’ ishte fluturim ditor nga Programi Botëror i Ushqimit, i Kombeve të Bashkuara, dhe zakonisht transportonte zyrtarë të Kombeve të Bashkuara, punonjës humanitarë dhe ndonjëherë gazetarë nga Roma.

Homazhet në Prishtinë | Foto: UNMIK

Ditëve në vijim familjarë të viktimave kishin ardhur në Prishtinë për të identifikuar mbetjet e trupave si dhe vendin e aksidentit. Derisa, më 15 nëntor mbetjet e trupave u bartën në Romë për identifikim para se t’u ktheheshin familjeve.

Në Prishtinë ishte organizuar një ceremoni komemorative ku qytetarë të shumtë kishin vendosur lule e ndezuar qirinjë një ditë pas aksidentit tragjik.

Homazhet në Prishtinë pas ngjarjes | Foto: UNMIK

Madje në buqeta lulesh kishte pasur shumë mesazhe falenderuese edhe nga nxënës të shkollave fillore në Prishtinë.

Homazhet në Prishtinë | Foto: UNMIK

Policët italianë rindërtuan pllakën përkujtimore pas gati 20 vitesh

Policët italianë në Kosovë kishin ndërmarrë hapa për të rindërtuar pllakën përkujtimore e vendosur në 1,400 metra në majë të malit dhe në të cilën janë shënuar emrat e 24 viktimave, të gjithë zyrtarë të OKB-së dhe organizata humanitare.

Ugo Ferrero, nga ambasada e Italisë në Kosovë në një deklarim për BIRN tha se iniciativa për rindërtim të pllakës ishte marr pasi zona ishte harruar dhe lënë në gjendje të braktisur.

Pllaka përkujtimore e vendosur në vendin e ngjarjes | Foto: Amanda Fisher/UNMIK

“Falë ndërhyrjes dhe kontributit të dhënë ndër vite nga pjesëtarët e kontingjentit të Policisë së Shtetit Italian, të cilët kanë alternuar në Kosovë, në vitin 2018 është bërë i mundur lokalizimi i saktë i vendit të lapidarit në fjalë dhe restaurimi i tij me shpenzimet e tyre” – tha Ugo Ferrero nga Ambasada italiane.

Që atëherë, çdo vit në vendin e aksidentit mbahet  një ceremoni për të nderuar kujtimin e 24 burrave dhe grave, të cilët humbën jetën tragjikisht.

Përkujtime dhe homazhe në vendin e ngjarjes | Foto: Amanda Fisher, UNMIK

Përkujtim nga shokë e kolegë të viktimave

Viktimat e këtij aksidenti tragjik ishin të njohur edhe në vende e tyre për aktivitetin humanitar.

Një prej viktimave kishte qenë edhe Daniel Rowan 34-vjeçar, i cili punonte për Correctional Service Canada, CSC, derisa në Kosovë ishte nisur për dhënie kontributi në sistemin e drejtësisë.

“Në vjeshtën e vitit 1999, filloi të punojë me Divizionin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të CSC-së si menaxher i projektit të dosjes së Kosovës, për të rivendosur sistemin korrektues në Kosovë”- thuhet në deklarimin CSC- për BIRN.

CSC thekson se Rowan ishte njëri shumë bujar e që krijonte ndjenja argëtimi e entuziazmi në vendin e punës.

“Dan ishte profesionist i përkushtuar dhe i njohur për aftësinë e tij për gjykime të shëndosha dhe për të marrë vendime të forta. Dan ishte shumëcka  për shumë njerëz, forca dhe afrueshmëria e tij e bënë të dashur për të gjithë ata që takoi”- ishin fjalët e tyre me të cilat përshkruan ish kolegun që vdiq në aksidentin tragjik në Kosovë.

Më 5 qershor 2000, Daniel Rowan iu dha Medalja Shembullore e Shërbimit Korrektues të Guvernatorit të Përgjithshëm, e cila u jepet punonjësve në shenjë mirënjohjeje për kontributet e tyre. Më 15 qershor 2004, familjes së Danielit iu dorëzua “Medalja Dag Hammarskjwld – Në shërbim të paqes”, medalje e Kombeve të Bashkuara e dhënë pas vdekjes, si nderim për sakrificën e atyre që kanë humbur jetën në Përpjekjet kanadeze paqeruajtëse.

Arkivoli i njërit nga 24 viktimat e aksidentit ajror ne Aeroportin e Prishtinës. Arkivoli më 15 nëntor ishte kthyer në Romë, ku do të identifikoheshin para se t’u ktheheshin familjeve të tyre | Foto: EPA/Alban Bujari

Ndërkaq, kryetari i Ai.Bi. – Amici dei Bambini, Marco Griffini në një prononcim për BIRN kujtoi fjalët e Laura Scottit se sa e rëndësishme është të ndihmosh fëmijët.

“Sa herë që fëmijët vijnë tek ne, e kuptojmë se ajo që bëjmë është me të vërtetë e rëndësishme, frika është e vërtetë, por është po aq e vërtetë që nuk mund të ndalemi para kësaj frike” – ishin fjalët e Scottit, të kujtuara nga Presidenti Marco Griffini.

Sipas tij, këto fjalë sot janë më të rëndësishme se kurrë, ku situata e dezertimit, e luftës dhe e vështirësisë është shumëfishuar rreth nesh.

“Siç na mësoi Laura: ne nuk mund të ndalemi! Nuk mund të bëjmë asnjë hap prapa, por duhet të qëndrojmë gjithmonë pranë fëmijëve “tanë” të braktisur dhe familjeve në vështirësi, në çdo situatë! Kjo është trashëgimia më e madhe e Laurës, që nuk do të harrojmë kurrë” – u shpreh më tej Marco Griffini për BIRN.

Shkaqet që konsiderohet se shkaktuan rrëzimin e aeroplanit

Pas rrëzimit të aeroplanit zyrtarët patën deklaruar se nuk kishte shenja se mund të ishte sulmuar. Por, vetëm ishte zhdukur nga radarët rreth mesditës në rajon të Vushtrrisë.

Lidhur me aksidentin ishte bërë edhe një raport nga Bureau Enquêtes-Accidents ku renditeshin shkaqet që mund të kenë çuar deri tek rrëzimi.

Aeroplani kishte qenë në përdorim për 13 vjet dhe kishte kaluar 25,000 orë kohë fluturimi deri në muajin korrik, kur i ishte dorëzuar kompanisë italiane, Si Fly.

Ndër shkaqet kryesore që mund të kenë ndikuar në rrëzim të aeroplanit konsiderohen:

  • Puna ekipore të cilës i mungonte përvoja gjatë manovrave në rajon malor me shikueshmëri të dobët (siç kishte qenë zona e Shalës së Bajgorës).
  • Aeroplani ishte i papërdorur në mjedis malor.
  • Hapja e aeroportit në Prishtinë për trafik civil pa vlerësime të mjaftueshme paraprake të kushteve të funksionimit ose të kushteve për shpërndarjen e informacionit aeronautik.
  • Lodhja e ekuipazhit.
  • Ndërmarrja e fluturimit me sistem GPWS (sistem i paralajmërimit të afërsisë me tokën)
    të pashërbyeshëm ose të shkëputur.

Emrat e personave që vdiçën në aksidentin tragjik ajror më 12 nëntor 1999 në Kosovë

  1. Bazzoni, Roberto – Italian, Caritas Sardinia
  2. Biocca, Paola – Italiane, WFP, World Food Program
  3. Curry, Andrea – Irlandez, GOAL
  4. Davoli, Velmore – Italian, Civil Volunteer Group
  5. Evens, Nicolas Ian Philip – Britanez, Tearfund
  6. Faisal, Abdulla – Kenian, UNV
  7. Gavino, Marco – Italian, UNMIK
  8. Lay, Kevin – Britanez, Tearfund
  9. Liuzzi, Raffaella – Italian, Boyden
  10. Martinez-Vasquez, Miguel – Spanjoll, UNMIK
  11. Martinez, Jose Maria – Spanjoll, UNMIK
  12. Mirshahidul, Alam – Bangladesh, UNMIK
  13. Perez Fortes, J. – Spanjoll, UNMIK
  14. Powell, Richard Walker – Australian, WFP (World Food Program)
  15. Rowan, Daniel – Kanadez, Qeveria kanadeze
  16. Samer, Thabit – Irakian, WFP
  17. Sarro, Paola – Italiane, Terre des hommes
  18. Scotti, Laura – Italiane, AiBi
  19. Sircana, Antonio – Italian, Caritas Sardinia
  20. Zecchi, Carlo – Italian, Civil Volunteer Group
  21. Ziegler, Julia – Gjermane, International Crisis Group
  22. Maccaferro, Andrea – Italian, Air Operator Balmoral
  23. Canzolino, Antonio – Italian, Air Balmoral Operator
  24. Piazza, Katia – Italiane, Air Operator Balmoral

Ky shkrim është publikuar edhe në gazetën Prishtina Insight