“Universi" pa akreditim në programet e Infermierisë

Vetëm dy programe arriti t’i akreditojë Kolegji ‘Universi’ nga  gjithsej katër programe që u  vlerësuan në fazën fillestare për akreditim dhe riakreditim në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë ia dha dritën e gjelbër  vetëm dy programeve, derisa dy të tjerat u larguan nga lista e akreditimit si pasojë e mospërmbushjes së kriterit të të pasurit doktor shkence të fushës së ngushtë për secilin program.

Për secilin program studimi të nivelit Bachelor duhet pasur tre ose katër doktorë shkence të fushës së ngushtë, në programet Master duhet të jenë një ose dy doktorë shkence, ndërsa për studimet e doktoratës për secilin program duhen tre profesorë të asocuar.

KALLXO.com ka siguruar listën e degëve, departamenteve dhe programeve të kolegjeve private, të cilat në disa programe kanë dështuar t’i kalojnë kriteret e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, organ ky i cili akrediton programet studimore.

Mirëpo këto vendime nuk janë përfundimtare dhe mund të hyjnë në fuqi vetëm pas mbylljes së procesit të ankimimit.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë, i akreditoi Kolegjit “Universi” vetëm programin ‘Kulturë fizike, sport dhe rekreacion’ në nivelin Bachelor i shkencës, ndërkohë që i tërhoqi programin ‘Infermieri e përgjithshme’ në nivelin Bachelor.

Kur jemi tek programet e reja, KShC vendosi që t’ia refuzoi për akreditim programin ‘Infermieri’, ndërsa ia aprovoi programin ‘Kulturë fizike, sport dhe rekreacion’ në nivelin Master i shkencës.

 

Historia e akreditimeve

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, muajin e kaluar, kishte vendosur për akreditimin e programeve të reja, riakreditimin dhe tërheqjen e tyre në universitetet publike dhe private.

Gjatë kësaj mbledhje, KShC akreditoi 1 program studimor valid dhe i tërhoqi 1 tjetër Universi-t, ndërsa në fazën fillestare të vlerësimit të aplikacioneve, Universi-t iu aprovua 1 program dhe iu refuzua 1 tjetër.
Arsyeja e tërheqjes dhe refuzimit për akreditim të programeve studimore nga KShC-ja kryesisht ishte nga mungesa e doktorantëve të fushës së ngushtë të këtyre programeve.

Por edhe në rast mosakreditimi, Universiteti apo Kolegji mund të aplikojë përsëri për akreditimin e këtyre programeve siç thuhet tutje në Ligjin për Arsimin e Lartë, konkretisht në Nenin 15 ‘Akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë’, pika 6, e cila thotë se “nëse një bartës i licencuar i arsimit të lartë nuk arrin të fitojë akreditimin apo riakreditimin institucional, kjo do të rezultojë me një organizim tjetër të akreditimit jo më vonë se pas një viti.”

Sipas udhëzimit administrativ në Nenin 30 tek ‘Deklarimi i stafit akademik për angazhim’ në pikën 1 thuhet se “Institucionet e Arsimit të Lartë duhet të dorëzojnë deklaratat e stafit akademik të angazhuar jo më larg se data 31 tetor.”

Gjatë procesit të verifikimit, KShC ka shqyrtuar dokumentacionin e profesorëve të cilët kishin deklaruar të dhënat e tyre në platformën ‘e-Akreditimi’ sepse në Nenin 30, pika 3 thuhet se “Vetëm stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA, do të konsiderohet në procesin e akreditimit/riakreditimit për vitin pasues akademik dhe stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA për programet ekzistuese në kuadër të procesit të monitorimit”.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për zhvillimet që kanë rezultuar nga mbledhja e 61-të e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, vendimet e të cilit ngritën reagime të shumta.

Sa programe nuk iu akredituan Kolegjit ‘Iliria’?

Programet e Kolegjit “Universum” që dështuan të akreditohen

Universiteti publik i Gjakovës mbetet pa Fakultetin e Edukimit

Programet e studimit që i humbi Universiteti  i Gjilanit

Mitrovicasit mbesin pa Fakultetin Juridik dhe të Edukimit

Afër 50 për qind e drejtimeve në Universitetin e Pejës do mbyllen

Lista e drejtimeve të Universitetit të Prishtinës që nuk akreditohen