Ilustrim- Jeta Dobranja për BIRN

LISTA - Kolegjet që kanë humbur akreditimin në Kosovë

14 kolegje e institucione të tjera të arsimit të lartë kanë humbur akreditimin në katër vitet e fundit dhe nuk janë akredituar më nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

Sipas të dhënave të kësaj Agjencie, institucionet e arsimit të lartë që e kanë humbur akreditimit sipas vitit janë: “Kosovo Art Academy” (29.07.2019), “Kolegji ISPE” (2021), “Kolegji Tempulli” (21.07.2020), “Kolegji Dukagjini” (21.07.2020), “Kolegji Arberi” (21.07.2020), “Kolegji Fama”(21.07.2020), “Kolegji Iliria” (21.07.2020),  “Kolegji Universi” (27.07.2020), “Kolegji Globus” (19.07.2021), “Cacttus Education” (19.07.2021), “Kolegji UBT – Gjilan” (18.07.2022), “Kolegji Universum – Gjakovë” (2019), “Kolegji Riinvest” (2022), “Kolegji Dardania” (2022).

Po ashtu, sipas të dhënave të AKA-s, janë edhe tri universitete publike dhe një kolegj privat që fillimisht e kanë humbur akreditimin por pas riaplikimit, janë akredituar nga AKA. Ato janë: Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”, Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” dhe Kolegji Biznesi.

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, në emisionin “Kallxo Përnime” kishte deklaruar se kanë qenë 28 institucione të arsimit të lartë që kanë qenë të akredituara por tashmë janë vetëm 10.

“Kjo për shkak se kanë dështuar që të marrin rekomandim pozitiv nga ekspertët ndërkombëtarë”- ka thënë Gashi në emisionin “Kallxo Përnime”.

Sipas tij, universitetet publike të vlerësuara të gjitha janë akredituar, por ka programe që u janë mbyllur.

“Universitetet publike kanë qenë 4-5 në vlerësim, akreditimin e kanë marrë të gjitha, por ka shumë programe të mbyllura. UP nuk ka marrë akreditim në 6 programe akademike në vitin e kaluar, si: elektro-energjetika, një drejtim në FSHMN, Edukatë Fizike dhe disa në doktoratë”- shtoi Gashi.

Drejtori i AKA-së theksoi se licenca e kolegjeve nuk merret nëse një herë i dështon akreditimi. Sipas tij, kjo ndodh kur dështojnë dy herë në akreditim.

Gashi ka treguar disa prej kritereve bazike që një institucion i arsimit të lartë duhet të plotësojë për të marrë akreditim.

“Procesi i akreditimit fillon me dërgimin e një aplikacioni në AKA. Aplikacioni shqyrtohet fillimisht nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë. Institucioni duhet t’i ketë tre bartës të fushës e më pas ftojmë ekspertë ndërkombëtarë të cilët e vlerësojnë atë program. Nëse merr vlerësim pozitiv, ku brenda tij përfshihen edhe stafi akademik, hulumtimet, pajisjet, laboratorët, puna praktike”- ka thënë Gashi në emisionin “Kallxo Përnime”.