Ilustrimi: Kallxo.com

Universiteti publik i Gjakovës mbetet pa Fakultetin e Edukimit

Edukatorë të rinj nuk do të kenë mundësi të fillojnë studimet në universitetin e Gjakovës për vitin e ardhshëm akademik.

Studimet për vitin e ardhshëm nuk mund të fillojnë as në drejtimet ‘Mami’, ‘Punë Sociale’ dhe ‘Gjuhë dhe Letërsi Angleze’.

Universiteti i Gjakovës ”Fehmi Agani” deri në vitin e fundit akademik 2018/2019, numëronte gjithsej tri fakultete brenda tij dhe tetë programe të akredituara për studime.

Mirëpo vlerësimi i fundit nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, e varfëroi këtë universitet publik për nga programet e akredituara.

Vendimi i KSHC-së megjithatë mund të hyjë në fuqi vetëm pasi të përfundojë procesi i ankimimit.

Çdo program studimi i nivelit Bachelor duhet të ketë tre ose katër doktorë shkence të fushës së ngushtë, në programet Master duhet të jenë një ose dy doktorë shkence, ndërsa për studimet e doktoratës për secilin program duhen tre profesorë të asocuar.

Ky universitet mbeti pa gjashtë drejtime studimore si pasojë e mosplotësimit të këtij kriteri, ku për katër prej tyre KShC-ja i tërhoqi akreditimin ndërsa ia refuzoi për dy të tjera me të cilat kishte aplikuar për akreditim dhe riakreditim.

KALLXO.com ka siguruar listën e degëve, departamenteve dhe programeve të UGJFA-së të cilat kanë dështuar t’i kalojnë kriteret e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, organ ky i cili akrediton programet studimore.

Mirëpo kjo listë ende nuk është përfundimtare deri në përfundimin e procesit të ankimimit.

Në Fakultetin e Edukimit, UGJFA-ja deri në vitin e fundit akademik kishte të akredituar drejtimin ‘Parashkollor’ dhe ‘Fillor’.

Në Fakultetin e Filologjisë ishin katër programe studimore ‘Gjuhë shqipe’, ‘Gjuhë shqipe dhe letërsi’, ‘Letërsi shqipe’, si dhe ‘Gjuhë dhe letërsi angleze’.

Ndërsa në Fakultetin e Mjekësisë kishte dy drejtime atë të ‘Mamisë’ dhe ‘Infermierisë’.

KShC-ja i akreditoi programin ‘Gjuhë shqipe dhe letërsi’ në nivelin Bachelor i shkencës, në Fakultetin e Filologjisë.

Programet e reja për akreditim dhe riakreditim që UGJFA-së iu aprovuan janë ‘Mjekësi familjare dhe kujdes paliativ’ në nivelin Master i shkencës në Fakultetin e Mjekësisë, si dhe ‘Shkenca e mësimdhënies në gjuhën dhe letërsinë shqipe’ në nivelin Master i shkencës.

Ndërsa i tërhoqi akreditimin në programet ‘Infermieri’ në nivelin Bachelor dhe ‘Mami’ në nivelin Bachelor në Fakultetin e Mjekësisë, si dhe drejtimet ‘Edukim fillor’ në nivelin Bachelor dhe ‘Edukimi parashkollor’ në nivelin Bachelor, në Fakultetin e Edukimit.

Programet që KShC-ja i refuzoi ishin ‘Punë sociale’ në nivelin Bachelor në Fakultetin e Edukimit dhe ‘Gjuhë dhe letërsi angleze’ në nivelin Bachelor në Fakultetin e Filologjisë.

Historia e akreditimeve

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, muajin e kaluar, kishte vendosur për akreditimin e programeve të reja, riakreditimin dhe tërheqjen e tyre në universitetet publike dhe private, e mes tyre edhe për Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”.

Gjatë kësaj mbledhje, KShC akreditoi 1 program studimorë valid dhe i tërhoqi 4 të tjera UGJFA-së, ndërsa në fazën fillestare të vlerësimit të aplikacioneve, UGJFA-ja kishte marrë dritën e gjelbër për 2 programe të reja, mirëpo iu refuzuan 2 të tjera.

Arsyeja e tërheqjes dhe refuzimit për akreditim të programeve studimore nga KShC-ja kryesisht ishte nga mungesa e doktorantëve të fushës së ngushtë të këtyre programeve.

Por edhe në rast mosakreditimi, Universiteti mund të aplikojë përsëri për akreditimin e këtyre programeve siç thuhet tutje në Ligjin për Arsimin e Lartë, konkretisht në Nenin 15 ‘Akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë’, pika 6, e cila thotë se “nëse një bartës i licencuar i arsimit të lartë nuk arrin të fitojë akreditimin apo riakreditimin institucional, kjo do të rezultojë me një organizim tjetër të akreditimit jo më vonë se pas një viti.”

Sipas udhëzimit administrativ në Nenin 30 tek ‘Deklarimi i stafit akademik për angazhim’ në pikën 1 thuhet se “Institucionet e Arsimit të Lartë duhet të dorëzojnë deklaratat e stafit akademik të angazhuar jo më larg se data 31 tetor.”

Grafika: kallxo.com

Gjatë procesit të verifikimit, KShC ka shqyrtuar dokumentacionin e profesorëve të cilët kishin deklaruar të dhënat e tyre në platformën ‘e-Akreditimi’ sepse në Nenin 30, pika 3 thuhet se “Vetëm stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA, do të konsiderohet në procesin e akreditimit/riakreditimit për vitin pasues akademik dhe stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA për programet ekzistuese në kuadër të procesit të monitorimit”.

Shembull i tërheqjes së akreditimit si program studimor në UGJFA është “Edukimi Fillor”, në Fakultetin e Edukimit, në nivelin Bachelor dhe kjo për arsye se katër bartësit e këtij programi kishin doktoratë në fushën e ‘Kimisë’, ‘Makinerisë’, ‘Historisë’ dhe ‘Punës Sociale’.

Këto vendime të KShC-së, shtyrën gjashtë rektorët e universiteteve publike që të dalin me një deklaratë të përbashkët, e mes tyre edhe rektori i UGJFA-së Shaban Buza, të cilët kërkuan që të shkarkohen anëtarët e KShC-së dhe të shfuqizohen vendimet e tyre, me arsyetimin se KShC kishte favorizuar universitetet private në krahasim me ato publike, dhe se vendimet për tërheqje dhe refuzim të akreditimit kishin si prapavijë ‘politikën’ e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi për mbylljen e universiteteve të reja publike.

Pas kësaj deklarate nga Konferenca e Rektorëve, KShC kishte reaguar ndaj tyre duke iu thënë se s’kishin plotësuar kriteret, andaj edhe kishin dhënë nga një shembull për secilin nga këto universitete se përse nuk iu ishin akredituar ato programe.

‘Lufta’ e rektorëve vazhdoi edhe më tutje në Komisionin parlamentar për Arsim në të cilin kërkuan që të plotësohen kërkesat e tyre, por nuk gjetën mirëkuptim.

Ky komision u takua edhe me KShC-në për të kërkuar sqarime rreth vendimeve të tyre, por anëtarët e KShC-së kërkuan që këto universitete të dërgojnë ankesa në Komisionin për Ankesa në AKA nëse mendojnë që janë bërë shkelje.

Pas takimit që patën KShC-ja me Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ku ajo u ofroi mbështetje anëtarëve të Këshillit në vendimet e tyre, Konferenca e Rektorëve njoftoi se që nga 29 janari do të jenë në grevë të përgjithshme deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ku mes tjerash shtuan edhe kërkesën për shkarkimin e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Përveç Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Këshillin Shtetëror të Cilësisë po e mbështetë edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell dhe ai i Gjermanisë, Christian Heldt.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për zhvillimet që kanë rezultuar nga mbledhja e 61-të e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, vendimet e të cilit ngritën reagime të shumta.

Lista e drejtimeve të Universitetit të Prishtinës që nuk akreditohen

Lista e drejtimeve të Universitetit të Prishtinës që nuk akreditohen