Foto: AKA/ 21.02.2022

KShC aprovon Metodologjinë e monitorimit dhe procedurat pas-akredituese

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) në mbledhjen e sotme ka aprovuar Metodologjinë e monitorimit dhe procedurat pas akredituese.

“Pas një pune dyvjeçare ku kanë qenë të përfshirë të gjithë akterët e arsimit të lartë në Kosovë, KShC ka aprovuar Metodologjinë e monitorimit të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, duke plotësuar kështu edhe rekomandimin e fundit të Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA)”, thuhet në njoftim.

Sipas AKA-së, metodologjia e miratuar plotëson Standardin 2.3 të Udhëzuesve Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ESG) i cili kërkon që agjencitë e sigurimit të cilësisë të përmbyllin ciklin e akreditimit me procedura pasakredituese të cilat kanë për qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë.

“Monitorimi është proces formal i kryer nga AKA përmes së cilit vlerësohet se institucioni i arsimit të lartë mirëmban dhe vazhdon të plotësojë, rekomandimet e vlerësuesve të jashtëm dhe kushtet e dhëna të akreditimit si dhe zbaton standardet e Manualit të Akreditimit”, thuhet më tej.

Ndërsa “Procedura pasakredituese” është proces i cili kufizohen në verifikimin e kushteve të akreditimit dhe konfirmimin e shkallës së përmbushjes së rekomandimeve nga AKA dhe zotimeve nga IAL dhe jo në rivlerësimin e standardeve të Manualit të Akreditimit.

“Miratimi i Metodologjisë së Monitorimit është bërë me përkrahjen e Projektit QAINT dhe me financimin nga Agjencia ADA të Austrisë. Ky dokument ishte rekomandimi i fundit që Komisioni Evropian kishte bërë ndaj AKA-së”, thotë njoftimi.

Në mbledhjen e së hënës KShC-së është diskutuar për zbatimin e Planit dinamik të këtij institucioni dhe është konstatuar se të gjitha aktivitetet e parapara tashmë janë zbatuar në afatin e përcaktuar.

Konform legjislacionit në fuqi, KShC ka shqyrtuar të gjitha kërkesat dhe ankesat e institucioneve të arsimit të lartë.

Në këtë mbledhje po ashtu është caktuar edhe dinamika e aktiviteteve për rishikimin e standardeve të reja në nivelin bachelor dhe master.