Agjencia e Akreditimit fiton betejën me Kolegjin 'UBT' edhe në Gjykatën e Apelit

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës, që e refuzoi si të pabazuar kërkesën e Kolegjit “UBT” për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për standarde të reja për akreditim të programeve.

Bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë të AKA-së në shator të këtij vitit, kishte vendosur kritere shtesë për institucionet e arsimit të lartë për akreditim të programeve në vitet vijuese, përfshirë këtu publikime shkencore nga ana e bartësve të programeve të IAL-ve dhe të tjera.

Të pakënaqur me këtë vendim, Kolegji “UBT”, në tetor kishte ushtruar padi për anulimin e këtij vendim, si dhe kishte kërkuar caktimin e masës së përkohshme të sigurisë ndaj Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), duke kërkuar edhe pezullimin e këtyre vendimeve.

Për këtë çështje, Gjykata e Prishtinës, më 3 nëntor të këtij vitit e kishte refuzuar kërkesën e Kolegjit “UBT” për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKA), për standardet e reja për akreditim të programeve, e të pakënaqur me këtë vendim më pas “UBT” kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Pas shqyrtimit të ankesës, Gjykata e shkallës së dytë në seancën e mbajtur më 14 dhjetor e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës, në të cilën e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Kolegjit “UBT, ku kishte kërkuar nga gjykata shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Agjencisë për Akreditim për kriteret shtesë deri në vendosjen përfundimtare lidhur me padinë.

Sipas aktvendimit të siguruar nga KALLXO.com, Gjykata e Apelit e ka pranuar vlerësimin juridik të gjykatës së shkallës së parë si të rregullt dhe të ligjshëm.

“Për arsye se aktvendimi i atakuar me ankesë nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 paragrafi 2, pika b, j, j, k dhe m të LPK-së, në lidhje me nenin 63 të LKA-së për të cilat Gjykata e Apelit kujdeset sipas detyrës zyrtare në kuptim të dispozitës së nenit 194 të LPK-së, në lidhje me nenin 63 të LKA-së”, thuhet në aktvendim.

Tutje në aktvendim theksohet se aktvendimi i Gjykatës së shkallës së parë nuk është i përfshirë as në shkeljet e tjera të dispozitave të procedurës administrative e as konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, të cilat i ka pretenduar pala ankuese me ankesë, në këtë rast Kolegji ‘’UBT’’.

Gjykata e Apelit e ka pranuar përfundimin e Gjykatës së Prishtinës për faktin se ka gjetur se Gjykata e shkallës së parë e ka arsyetuar në masë të mjaftueshme përfundimin e saj për refuzimin e masës së sigurisë. Sipas Gjykatës së Apelit nuk ekziston rreziku se me ekzekutimin e vendimit për kriteret e reja për akreditim do t’i shkaktohej dëm i pariparueshëm Kolegjit ‘’UBT’’, si dhe vendimi i AKA-së nuk është në kundërshtim me interesin publik.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Kolegjit “UBT”, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar përgjgje.

Historiku

Bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Akreditimit në shtator të këtij viti kishte vendosur që të forcojë kriteret për akreditim të programeve të institucioneve të arsimit të lartë.

Me këtë vendim, përvec kriterit që bartësitë e programeve të jenë të fushës dhe të jenë me doktorata por edhe të kenë publikime shkencore të indeksuara.

Vendimi përfshin që nga 1 tetori 2021, bartësit e programeve që hyjnë në proces të akreditimit për herë të parë, në nivelin Bachelor duhet të kenë të paktën një publikim shkencor të indeksuar.

Ndërsa, në nivelin Master duhet të kenë të paktën dy punime nga fusha të studimit në revista shkencore të indeksuara si autor të parë apo korrespodent dhe të tjera.

Ndërsa, që nga viti 2022, bartësit e programeve që hyjnë në proces të akreditimit, ri-akreditimit ose validimit në nivelin Bachelor duhet të kenë të paktën thirrjen akademike profesor asistentë dhe të paktën një publikim shkencor nga fusha e studimit.

Kurse, në nivelin Master, po ashtu duhet të kenë thirrjen akademike profesor asistentë dhe dy punime shkencore të fushën e studimeve, duke përjashtuar revistat e dyshimta apo shtëpitë botuese.

Bordi i KShC të AKA-së po ashtu ka vendosur që për programet që ofrojnë studime të mjekësisë së përgjithshme, përveç standardeve të përcaktuara në manual, institucionet e arsimit të lartë duhet të dëshmojnë me dokumente adekuate që i ka të funksionalizuar dhe në posedim të gjitha Klinikat  dhe shërbimet mjekësore.

Këto kritere nuk ishin pritur mirë nga ana e Konferencës së Rektorëve të Universiteteve të Publike dhe kryetarit të Komisionit për Arsim, Ardian Gola, i cili i kishte thirrur në raportim anëtarët e bordit të KShC-së për të kuptuar se pse kanë vendosur standarde të reja.

KALLXO.com kishte raportuar edhe për vendimin e Gjykatës së Prishtinës në lidhje me këtë çështje.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë, është organ politikbërës dhe vendimmarrës i AKA-së, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve janë ndërkombëtarë.

KShC merr vendim për akreditim me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, por asnjë vendim i KShC-së për akreditim/riakreditim nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e të paktën një anëtari ndërkombëtar.