KShC: Programet që janë në riakreditim këtë vit do të përjashtohen nga kriteret shtesë

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mbledhjen e sotme ka vendosur që programet që janë në riakreditim këtë vit, do të përjashtohen nga kriteret shtesë, të vendosura ditë më parë nga ana e Këshillit për akreditim të programeve të institucioneve të arsimit të lartë.

Vendimi megjithatë do të vlejë për programet e reja që aplikojnë për akreditim. Deri tek ky vendim ka ardhur, pasi KShC i ka analizuar raportet e pranuara nga institucionet e arsimit të lartë, duke përfshirë edhe pasqyrën e bartësve të programeve akademike, lidhur me procesin e riakreditimit.

Pra, nga 1 tetori 2022, përveç kritereve të përcaktuara me UA për Akreditim, bartësit e programeve që hyjnë në proces të akreditimit, riakreditimit ose validimit në nivelin BA/BSc duhet të kenë të paktën thirrjen akademike Prof. Ass. dhe të paktën 1 (një) publikim shkencor të indeksuar nga fusha e studimit/programit.

Ndërsa në nivelin MA/MSc duhet të kenë të paktën thirrjen akademike Prof. Ass. dhe 2 (dy) punime në revista shkencore të indeksuara nga fusha e studimit/programit, si autor i parë apo korrespondent, sipas nenit 3, pika 1.1 WEB OF SCIENCES koleksioni bërthame (SCIE, SSCI dhe AHCI) apo 1.2 SCOPUS, duke përjashtuar revistat ose shtëpitë botuese të dyshimta sipas UA 01/2018 të aprovuar nga MASHTI.

Kurse, KShC vendosi që nga 1 tetori 2021, përveç kritereve të përcaktuara me Udhëzim Administrativ për Akreditim, bartësit e programeve që hyjnë në proces të akreditimit në nivelin BA/BSc duhet të kenë të paktën 1 (një) publikim shkencor të indeksuar nga fusha e studimit/programit.

Ndërsa në nivelin MA/MSc duhet të kenë të paktën 2 (dy) punime nga fusha e studimit/programit në revista shkencore të indeksuara si autor i parë apo korrespondent, sipas nenit 3, pika 1.1 WEB OF SCIENCES koleksioni bërthamë (SCIE, SSCI dhe AHCI) apo 1.2 SCOPUS, duke përjashtuar revistat ose shtëpitë botuese të dyshimta sipas UA 01/2018 të aprovuar nga MASHTI.

Përjashtim në këtë vendim bëjnë bartësit e programeve studimore/akademike të përcaktuar sipas Nenit 26, pika 11 e Ligjit për Arsimin e Lartë.

KShC fillimisht kishte vendosur ditë më parë që këto kritere të vlejnë për këtë vit, por pati reagime nga ana e Konferencës së Rektorëve dhe kishte vendosur që të kërkojnë nga të gjitha institucionet një pasqyrë të bartësve të programeve që janë në riakreditim dhe më pas të vendosin.

Konferenca e Rektorëve kërkon që të shtyhen afatet e kritereve shtesë për akreditim të programeve

.