Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Drejtimi i Elektroenergjetikës në UP, dështon të akreditohet

Studentët që dëshirojnë të regjistrohen në drejtimin e Elektroenergjetikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, për këtë vit akademik nuk mund ta bëjnë këtë sepse ky drejtim nuk është akredituar nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC).

Kjo pasi ky drejtim pas fazës së vlerësimit nga KShC dhe vlerësimit nga ekspertët ndërkombëtarë, ka marrë përgjigje negative nga raporti i ekipit të ekspertëve dhe në bazë të tij, ka marrë vendim edhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Isak Shabani, i cili tha se ‘’Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në vitin akademik 2021/22 ka aplikuar për akreditim në tetë programeve por nga njoftimi zyrtar janë akredituar 6 programe të studimeve. Nuk është akredituar programi Elektroenergjetikë (BSc), ndërsa në proces të akreditimit është ende programi për studime të doktoratës në Inxhinieri Elektrike dhe Kompjuterike’’, ka bërë të ditur Shabani për KALLXO.com.

Ai po ashtu është shprehur se deri me datën 10 gusht. nuk kanë marr vendim përfundimtar nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë dhe AKA në lidhje me mosakreditimin.

“Deri sot me dt. 10.08.2021 nuk kemi vendim përfundimtar nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë dhe AKA në lidhje me mosakreditimin e programit BSc. në Elektroenergjetikë. Me marrjen e vendimit nga AKA do ta kuptojmë arsyen dhe do jeni të informuar. Bazuar në kuadrin ekzistues në FIEK, edhe për këtë program të studimeve me interes nacional/kombëtar, i plotësojmë kriteret bazë prej tre doktorëve të shkencës në fushën përkatëse’’, thotë ai.

Sa i përket asaj çka do të ndodhë me studentët të cilët janë duke i ndjekur studimet në drejtimet që nuk janë akredituar sivjet, Shabani për KALLXO.com ka thënë se “studentët aktual vazhdojnë deri në fund të studimeve sipas plan-programit të akredituar paraprakisht që kanë filluar studimet, ndërsa bazuar në njoftimin nga AKA, UP nuk ka shpallur konkurs për regjistrim të studentëve të ri në afatin e parë në këtë drejtim për vitin akademik 2021/22’’.

Ai shtoi se studentët që tash vijojnë shkollimin aty, nuk duhet të kenë dilema rreth asaj se a do të ju njihet diploma në shtetet e jashtme.

‘’Po, ju njihet diploma në shtetet e jashtme, sepse studentët në vitet paraprake akademike janë regjistruar në program të studimeve me akreditim valid’’, thotë Shabani.

Rreth kësaj çështjeje ekipi i KALLXO.com ka pyetur edhe Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Në përgjigje për KALLXO.com, nga AKA-ja kanë thënë se arsyeja që drejtimi i Elektroenergjetikës e ka humbur akreditimin është sepse raporti i ekipit të ekspertëve ndërkombëtarë ka qenë negativ, dhe se raporti i këtij programi dhe programeve tjera do të publikohen gjatë javës ne ueb faqen e Agjencisë.

“Është vetëm një arsye, sepse raporti i ekipit të ekspertëve ndërkombëtarë ka qenë negativ për këtë program akademik dhe në bazë të tij ka marrë vendim edhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë”, thonë në AKA.

“Raporti i këtij programi dhe të gjitha programeve akademike në Republikën e Kosovës do të publikohen më së largu javën e ardhme në ueb faqen e Agjencisë dhe aty do t’i gjeni të gjitha arsyet’”, thuhet në përgjigjen shtesë të AKA-së.

Po ashtu ata shtojnë se nga shtatë standardet që aplikon AKA, ky program ka plotësuar vetëm dy prej tyre.

“Nga 7 standardet që aplikon AKA-ja, programi në fjalë ka plotësuar vetëm dy prej tyre. Do të thotë 5 standarde të tjera nuk janë plotësuar”, kanë thënë për KALLXO.com nga Zyra për Informim e AKA-së.

AKA-ja në ueb-faqen e saj ka publikuar programet të cilat janë akredituar duke përfshirë edhe kolegjet private që funksionojnë në Kosovë.

KALLXO.com edhe më herët kishte raportuar lidhur me ketë çështje.

Programet-e-Akredituara-2021-2022

Drejtimi i Elektroenergjetikës në pritje të akreditimit