Artan Abrashi

'Udhëtimi' Gjyqësor Prizren- Prishtinë i Aktivistit të VV-së

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi njëherësh edhe asamblist në Komunën e Prizrenit  i këtij subjekti, sipas policisë u arrestua në shtëpinë e tij në Prizren me urdhër të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“ Policia e Kosovës e ka arrestuar Abrashin pas urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për shkak se ai nuk kishte respektuar caktimin e masës për paraqitje në stacion policor,” tha për KALLXO.com Hazir Berisha, zëdhënës i Policisë së Kosovës në Prizren.

Abrashi ishte arrestuar në protestat e 18 nëntorit, ditën kur u arrestua edhe deputetja e AAK-së Donika Kadaj-Bujupi nën dyshimet për aktivizim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Atij i ishte caktuar masa e paraqitjes në stacion policor, për shkeljen e së cilës gjykata kërkoi arrestimin e sotëm.

Zëdhënësi Berisha tregoi se policia e ka dërguar deri në Gjykatën Themelore të Prishtinës Abrashin, ku tha se përsëri i është caktuar masa e njëjtë.

“ Pas arrestimit nga policia e Prizrenit, Abrashi është dërguar në Gjykatën e Prishtinës ku kjo e fundit sërish ka marr vendimin e njëjtë për caktimin e masës ‘paraqitja në stacion policor’. Aktualisht Abrashi është liruar në shtëpi,” tha Berisha.

Njësoj si policia, arrestimin e Abrashit e shpjegoi edhe zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Por ajo bëri të ditur se masa paraqitje në stacion policor i është shpeshtuar aktivistit të “Vetëvendosjes”.

“I dyshuari është arrestuar për mosrespektim të masës paraqitje në stacionin policor. Ndaj të njëjtit përsëri është caktuar masa e njëjtë e sigurisë, por ai tash do të paraqitet dy herë në javë në polici,” tha Gashi.

Abrashi para ashpërsimit të masës paraqitej vetëm një herë në javë në stacionin policor.

Arrestimin e anëtarit të Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje” e dënoi ky subjekt politik.

“Me këto arrestime policia është vënë në mbrojtje të një qeverie antikushtetuese, ajo po e mbron një pushtet jolegjitim dhe të rebeluar kundër Republikës,” thuhet në reagimin e Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Më pas Policia e Kosovës reagoi ndaj fjalëve që për këtë institucion i tha “Vetëvendosja”

“Policia e Kosovës reagon fuqishëm dhe sqaron opinionin e gjerë se kumtesa apo deklarime të tilla të vazhdueshme nga ky subjekt kanë për qëllim krijimin e një opinioni të ndryshëm nga ai çfarë e karakterizon Policinë e Republikës së Kosovës,” thuhet në reagimin e policisë.

Artan Abrashi dyshohet nga prokuroria për pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.