Foto: Kallxo.com

Thaçi Nderon Fehmi Lladrovcin në Ditën e Flamurit

Homazhet e Thaçit u bënë për nder të 28 Nëntorit, ditës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë të cilën e quajti “ditë historike për të gjithë shqiptarët”.

“Sot jam këtu bashkë me bashkëpunëtorët e mi me përgjegjësinë më të lartë shtetërore të nderojmë ate sakrificë, atë luftë që rezultoi me lirinë e Kosovës sot me një vend të pavarur e sovran”, tha Thaçi.

Sipas tij, liria e Kosovës ka rrënjë në gjakun e dëshmorëve të komandantëve të UÇK-së si dhe “të rezistencës së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe mbështetjes së të gjithë shqiptarëve”

“Sot është edhe një ditë kujtimi edhe e krenarisë për të gjithë ata njerëz që sakrifikuan për Kosovën”, tha ai.

Homazhet e Presidentit te memoriali i Fehmi e Xhevë Lladrovcit përkuan me ditën e parë të fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit, që do të mbahen më 4 dhjetor.

Ramiz Lladrovci, vëllai i komandantit Fehmi Lladrovci, është kandidat i PDK-së për kryetar të komunës.

Ai nuk doli ta presë Presidentin në këtë homazh, por aty ka qenë Naim Bazaj, i cili pak ditë më parë hoqi dorë nga kandidatura për kryetar të komunës për t’u vënë në mbështetje të kandidaturës së PDK-së, sado që emri i tij është në listën e kandidatëve.

Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com