Thaçi: Mirënjohës për mbështetjen e Norvegjisë

Presidenti Hashim Thaçi në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih, ka zhvilluar një takim me kryeministren e Norvegjisë, Erna Solberg, të cilën e ka falënderuar për mbështetjen që vendi i saj i ka dhënë Kosovës në periudhën e lirisë, pavarësisë, forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe zhvillimit ekonomik.

“Nesër shënojmë 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Falë mbështetjes së Norvegjisë dhe partnerëve tjerë strategjikë, ne kemi arritur të fitojmë lirinë dhe pavarësinë. Do të jemi gjithmonë mirënjohës për mbështetjen që keni dhënë edhe në periudhën e shtetndërtimit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg, ka uruar Kosovën për 11-vjetorin  e Pavarësisë, duke ofruar vazhdimin e mbështetjes së Norvegjisë.

Në këtë takim është diskutuar edhe për domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme.

Ndryshe, presidenti Thaçi në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih ka zhvilluar takime të shumta edhe me përfaqësues të shteteve të ndryshme të botës.