Thaçi: Maqedonia një hap më afër BE-së dhe NATO-së

Qeveria e Maqedonisë i ka siguruar votat për të miratuar nismën për ndryshimet kushtetuese, që i hap rrugën ndryshimit të emrit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, e po ashtu edhe rrugën drejt integrimit euroatlantik.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e përshëndeti këtë hap duke thënë se kuvendi i Maqedonisë mbrëmë dha shembullin e bashkimit të të gjitha partive për të mirën e qytetarëve dhe shtetit të tyre. “Shteti forcohet dhe integrohet kur të zgjedhurit e popullit marrin vendimet e duhura dhe tejkalojnë interesat politike për interesat shtetërore.

Republika e Kosovës i gëzohet këtij vendimi shumë të rëndësishëm të shtetit tonë fqinj. Paqen dhe stabilitetin në rajon e forcojmë vetëm duke dëshmuar vendosmëri në orientimin euroatlantik dhe duke punuar shumë për integrimin në familjen evropiane”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij “Facebook”.

Në Kuvendin e Maqedonisë mbrëmë votuan pro 80 deputetë, sa 2/3-tat e nevojshme për ndryshime kushtetuese. Tashmë qeverisë i jepen 15 ditë kohë për të paraqitur në Kuvend amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës./21Media