Të Ulëta të Hyrat Vetanake të Komunave

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) së bashku me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) prezantuan sot draft-dokumentin për të hyrat vetanake të komunave të Kosovës.

Ministri i MAPL-së Lubomir Mariq tha se ministria që ai drejton është duke bërë reforma në përmirësimin e administratës lokale, ndërsa tha se komunat nevojat më së shumti i plotësojnë nga grantet qeveritare.

“Dihet se komunat pjesën më të madhe të nevojave të tyre buxhetore, i plotësojnë nga granti qeveritar, kjo gjë është duke ndikuar në mënyrë negative, në rritjen e nivelit të grumbullimit të të hyrave vetanake të komunave,” tha Mariq.

Ai kërkoi një decentralizim financiar të komunave në mënyrë që ato të mbledhin më shumë mjete.

“Në shumicën e komunave të Kosovës ka përmirësime në krahasim me vitet e kaluara sa u përket të hyrave. Ne gjithashtu kërkojmë që të ketë një vetëqeverisje të decentralizuar nga aspekti financiar,” tha Mariq.

MAPL-ja bashkë me USAID-in analizën për të hyrat komunale e bënë në kuadër të programit “Avancojmë Kosovën së Bashku (AKT)”. Në draft-dokumentin e tyre u shpaluan pasqyrat dhe analizat për trendin e të hyrave vetanake në komunat e Kosovës për periudhën 2010-2014.

Randall Olson, zyrtar për demokraci dhe qeverisje në USAID foli për progresin dhe të metat e mbledhjes së të hyrave vetanake të Kosovës.

Ne sot mund të themi se kemi mundësinë që të shohim progresin e përpjekjeve tona. Mendoj se kemi bërë një progres domethënës, mirëpo ende ka mangësi dhe ende duhet bërë shumë punë në këtë aspekt. Ne tani po punojmë me MAPL dhe MF për t’i realizojmë këto nismat,” tha Olson.

Ai tregoi pse komunat duhet të mbledhin më shumë të hyra.

“Qëllimi i të hyrave vetanake është mbledhja e financave që t’u lejohet komunave që të jenë të pavarura dhe të kenë mundësi ta ndërtojnë buxhetin e tyre në mënyrë të përgjegjshme dhe të zbatojnë projekte për qytetarët,” tha Olson.

Agron Demi, drejtor ekzekutiv i Institutit GAP kërkoi shmangie të varësisë së buxhetit shtetëror nga të hyrat doganore.

“Problemi më i madh jo vetëm i komunave, por nivelit qendror është varësia shumë e madhe nga të hyrat doganore. Derisa ta kemi këtë varësi të madhe nga të hyrat doganore, ne nuk do të arrijmë të kemi të hyra të brendshme as në nivel qendror, as nëpër komuna me qëllim që këto të hyra të gjenerohen nga zhvillimi ekonomik dhe jo nga deficiti i lartë tregtar që aktualisht e kemi. E dyta se pse komunat kanë të hyra kaq të ulëta në përgjithësi është zhvillimi i ulët ekonomik,” theksoi Demi.

Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Agim Krasniqi tha se në këtë ministri është duke u hartuar strategjia për financat dhe janë duke u bërë ndryshime në politikën fiskale për pushtetin lokal.

Të hyrat vetanake të komunave kohëve të fundit përbëjnë 4 për qind të të hyrave të buxhetit të Kosovës.