Prezantimi i raportit të monitorimit të tenderëve, Foto: D+

D+ dhe BIRN prezantojnë raportin e monitorimit të 27 tenderëve

Demokraci Plus (D+) dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) kanë prezantuar raportin e monitorimit të aktiviteteve të prokurimit publik, i cili është mbështetur nga aktiviteti i USAID për Integritetin e Komunave të Kosovës.

Raporti përfshin monitorimin e 27 tenderëve, duke përfshirë tre në Ministrinë e Shëndetësisë dhe tre për secilën nga komunat: Gjakovë, Gjilan, Lipjan, Pejë, Prishtinë, Rahovec, Suharekë dhe Vushtrri. Monitorimi është kryer në tri fazat kryesore: fazën e para-tenderimit, tenderimit, dhe pas-tenderimit. Procesi i monitorimit ka përfshirë analizën dhe grumbullimin e dokumentacionit, inspektim në terren, dhe biseda me aktorët e rëndësishëm.

Gjetjet e raportit tregojnë se Komunat dhe Ministria e Shëndetësisë vazhdojnë të kenë sfida për të përmbyllur një proces të prokurimit pa shkelje të Ligjit dhe Rregullave të Prokurimit Publike. Që nga faza e parë e planifikimit të prokurimit e deri në menaxhimin dhe zbatimin e plotë të një kontrate janë evidentuar shkelje.

Në tryezën e prezantimi të raportit, një fjalë rasti e ka mbajtur edhe Maia Gogoladze, Drejtore e Aktivitetit të USAID – Integriteti i Komunave.

“Jam shumë e lumtur që jam prezente këtu. Kemi menduar që do të jetë shumë e rëndësishme që të ndajmë me ju gjetjet, rekomandimet e BIRN dhe D+ me mediat, institucionet dhe qytetarët” – tha Gogoladze.

Gjatë prezantimit të raportit, Visar Prebreza nga BIRN ka thënë se nga 13 nga 27 tenderët e monitoruar apo në 48% prej tyre ka pasur ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

“Për këta 13 tenderë ishin bërë 32 ankesa në OSHP, prej të cilave 15 ishin refuzuar dhe në 13 prej tyre ishin aprovuar pretendimet e OE-ve ankues. Nga 13 vendime në të cilat OSHP-ja kishte gjetur shkelje ligjore, 12 prej tyre ishin shkelje të bëra gjatë fazës së ekzaminimit dhe vlerësimit të tenderëve” – ka deklaruar ai gjatë prezantimit të raportit.

Një prej shkeljeve më të shpeshta që është evidentuar gjatë këtij monitorimi ka qenë vendosja e kritereve diskriminuese, kritereve shumë të larta për projektin apo emërimi i produkteve dhe prodhuesve që janë kërkuar.

Një nga gjetjet e raportit evidenton se komunat e monitoruara në masë të madhe nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë emrat e personave që i kanë hartuar specifikacionet teknike.

“Vetëm MSh ka treguar emrat e personave që i kanë hartuar specifikacionet teknike për tre nga tenderët e monitoruar” – thuhet në raport.

Tryeza bëri bashkë përfaqësues të institucioneve publike përgjegjëse për prokurimin publik në vend, të shoqërisë civile dhe mediave, të cilët diskutuan në lidhje me gjetjet e raportit.

Kryetarja e Organit Shqyrtues të Prokurimit, Vjosa Gradinaj Mexhuani deklaroi se sfida kryesore e OSHP-së është mungesa e anëtarëve të bordit dhe numri i lartë i ankesave.

“Vitin e kaluar gjatë gjithë vitit kanë qenë 820 ankesa ndërsa këtë vit deri tani janë 940 ankesa” – tha Gradinaj Mexhuani.

Ndërsa Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj tha se dy prej hallkave më të dobëta të procesit të prokurimit janë planifikimi dhe menaxhimi i kontratave.

“Cikli i prokurimit është sikur hallkat e një zinxhiri. Dy hallkat më të dobëta janë planifikimi edhe monitorimi i kontratave apo menaxhimi i kontratave. Çka e dëmton procesin është edhe informatat që iu jepen operatorëve ekonomikë paraprakisht. Përzgjedhja e procedurës ka shumë rëndësi por kësaj nuk i jepet shumë rëndësi” – potencoi Vishaj.

I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe ushtruesi i detyrës së shefit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Berat Marmullaku. Ai ka përmendur njërën nga masat që është duke e ndërmarrë MSH-ja për penalizim të kompanive që nuk e implementojnë kontratën sipas kushteve të parapara.

“Këtë vit kemi pasur pesë ndëprerje të kontratave nga MSH-ja. Janë konfisku sigurimet e tenderëve. Nuk kemi pas problem për me i marrë paret prej kompanive të sigurimit” – ka deklaruar ai.