Ambasadorja e USAID-it takon Presidenten Osmani, përpos bashkëpunimit përmend dialogun si rrugën e Kosovës për integrim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu ka pritur në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. Në një deklarim për media, Osmani u shpreh se kontributi i USAID-it në Kosovë është shembull i marrëdhënieve të palëkunduara mes Kosovës dhe SHBA-së.

Derisa, McKee i kujtoi Presidentes se, dialogu është e vetmja rrugë për integrimin e Kosovës në organizma ndërkombëtarë.

“Në Kosovë kur flitet për USAID mendohet për zhvillim, vizita juaj dhe takimi që përfunduam janë dëshmi e punës së jashtëzakonshme e USAID me shtetin tonë. Bashkëpunimi me USAID reflekton bashkëpunimin tonë me SHBA-në”- u shpreh Osmani.

Presidentja tutje theksoi se USAID ka qëndruar krah Kosovës duke investuar deri në mbi 1 miliard dollarë.

“Sot republika jonë është nje prej performueseve më të mirë në sundimin e ligjit. Ambasadore për këtë mbështëtje të palëkundër të falënderojmë”- u shpreh më tej Osmani.

Derisa, ndihmës Administratorja e USAID-it, Erin E. McKee përgëzoi presidenten Osmani për progresin e bërë për zhvillim ekonomik, derisa theksoi se dialogu është e vetmja rrugë për integrime të Kosovës.

“Kosova po bën progres për zhvillim ekonomik. Isha e kënaqur të takoja gratë, avokate, gjyqtare, inxhiniere, gra të cilat ishin me të vërtetë inspiruese. Këtë vit shënojmë 25 vjetorin e bashkëpunimit me Kosovën, ju përgëzoj për progresin që keni bërë, por kemi shumë punë për të bërë edhe me tutje”- u shpreh ajo.

“Do vazhdojmë të bashkëpunojnë me Kosovën për energjinë, për të ndihmuar një tranzicion në energji të ripërterishme. Ashtu si ka thënë edhe Blinken, Dialogu është e vetmja rrugë për integrime të Kosovës”- shtoi me tej McKee.