Ilustrim

"Lyp Llogari për paret tua!" - sllogani që do të shënojë Javën Kundër Korrupsionit nga USAID KMI

Aktiviteti i USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës do të shënojë Javën Kundër Korrupsionit me sloganin #Lyp Llogari për paret tua!.

Kjo fushatë do të fillojë me aktivitetin kryesor më 9 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, me fillim nga ora 11:00.

Në këtë ngjarje, përveç përfaqësuesve të Aktivitetit të USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës do të marrin pjesë edhe institucionet kryesore mbikëqyrëse të prokurimit publik në Kosovë.

Dita Kundër Korrupsionit, Foto: USAID KMI

Fjalime të shkurtra do të mbahen nga Auditorja e Përgjithshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca; kryetari i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj dhe drejtorja e Aktivitetit të USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës, Maia Gogoladze.

Qëllimi kryesor i kësaj fushate të organizuar nga Aktiviteti i USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës është që të promovohet llogaridhënia, integriteti dhe transparenca në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe në jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës.

“Kjo fushatë do të bëjë më shumë sesa thjesht shkëmbim informacioni; synon që t’i përfshijë aktivisht qytetarët. Ne duam t’u tregojmë atyre se si këto parime të qeverisjes së mirë do t’u sjellin dobi drejtpërdrejt atyre çdo ditë” – thuhet në njoftimin e USAID.

Gjatë kësaj fushate, qytetarët do të kenë mundësi të shohin një instalacion në formë të tunelit me dy hyrje, i cili do të ofrojë mundësinë për të përjetuar dallimin me dritës që paraqesin punët pa korrupsion dhe errësirës që simbolizon punët me korrupsion.

Edhe një aktivitet tjetër do të shënojë Ditën Kundër Korrupsionit më 9 dhjetor, nga ora 18:30 deri në orën 21:30. Në kuadër të këtij aktiviteti do të paraqiten mesazhe të ndryshme që kanë të bëjnë me llogaridhënien, integritetin dhe transparencën e institucioneve publike në fasadën e ish-hotel UNION-it në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.