Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, Foto: KALLXO.com

Marrëveshja 35 milionë dollarëshe, Hovenier: Kjo e konfirmon partneritetin afatgjatë dhe të qëndrueshëm

Kosova dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) kanë lidhur marrëveshje në vlerë 34.7 milionë dollarë. Marrëveshja e Grantit për Zhvillim është nënshkruar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe u.d. drejtoresha e USAID-it, Kerry Monaghan Hogler.

Presidentja Osmani ka theksuar se ky fond do të ndikojë në përmirësim të jetës së qytetarëve të Kosovës

“Në përpjekjet tona për të ardhme më të begatë SHBA-ja nuk ka ofruar vetëm mbështetje por partneritet të vërtetë” – ka deklaruar Osmani.

Më tej, presidentja ka thënë se do të fuqizohet administrata publike dhe transparenca.

Nënshkrimi i marrëveshjes mes USAID-it dhe Kosovës, Foto: KALLXO.com

“Së bashku qe të vazhdojmë të shkruajmë kapituj të ri të partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së” – ka shtuar ajo.

Ndërsa ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se marrëveshja e konfirmon  partneritetin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të SHBA-së dhe Kosovës.

“Të gjitha programet e USAID në Kosovë kanë për qëllim që të gjithë qytetarët të kenë qasje në shërbime dhe të kërkojnë llogari në ato shërbime” – ka deklaruar ai.