Të Rinj dhe Milionerë – Qeveria e Kosovës në Analizë

Kryeministri Isa Musatafa është më i vjetri i kabinetit qeveritar, ndërsa zëvendëskryeministri nga komuniteti serb, Branimir Stojanoviq, është më i varfri në elitën qeverisëse të Kosovës.

Këto janë disa nga gjetjet e analizës së realizuar nga KALLXO.com mbi moshën dhe pasurinë e kabinetit qeveritar të Kosovës.

Bazuar në deklarimin e pasurisë 2015 së kabinetit qeveritar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) del se më i pasuri i kabinetit qeveritar të Republikës së Kosovës është ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi. Pasuria e tij e deklaruar arrin rreth 731 mijë euro.

Njeriu më i varfër zyrtarisht në kabinetin qeveritar del të jetë zëvendëskryeministri nga komuniteti serb, Branimir Stojanoviq. Në formularët e AKK-së pasuria e tij është 29,200 euro.

Pasuria e përgjithshme e kabinetit qeveritarë sipas deklarimit të pasurisë (kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat) kap vlerën rreth 8.7 milionë eurove, ku pjesa më e madhe, rreth 6.8 milionë euro apo 77.9 për qind është pasuri e paluajtshme.

Pjesa tjetër, rreth 0.4 milionë apo 4.5 për qind është pasuri e luajtshme, 0.2 milionë apo 2.2 për qind posedim i aksioneve në shoqëria komerciale, para të gatshme të mbajtura në institucionet financiare rreth 0.6 milionë apo 7.5 për qind, të hyrat vjetore të deklaruesve 0.5 milionë apo 5.9 për qind dhe të hyrat nga bashkëshorti/es janë 0.2 milionë apo rreth 2 për qind.

Meshkuj të rinj

Mosha mesatare e kabinetit del të jetë rreth 45 vjeçare. Kësaj gare i prin i zoti i shtëpisë – Kryeministri Isa Mustafa me rreth 64 vjeç.

Edhe pse zëvendëskryeministri, Branimir Stojanoviq për nga pasuria e deklaruar doli të jetë më i varfëri në kabinet, mosha e tij e bën atë që të jetë i pari, rreth 30 vjet.

Përfaqësimi gjinor i këtij kabineti qeveritar arrin të dominohet nga meshkujt, ku 21 janë (kryeministër, zëvendëskryeministra dhe ministra) të gjinisë mashkullore dhe vetëm 2 janë të gjinisë femërore, ministrja pa portofol për dialog me Serbinë Edita Tahiri, dhe Hykmete Bajrami, ministre e MTI-së.

Votat e qeverisë

Sipas rezultateve e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 8 qershorit 2014, kabineti qeveritar (në baza individuale, Kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat) arriti t’i mbledhë gjithsej 433,649 vota.

Por kabineti qeveritar nuk u ndërtua i tëri mbi bazën e votave. Rreth 26 për qind e këtij kabineti nuk mori fare pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit.

Ata që nuk morën pjesë në zgjedhje, e që tash janë pjesë e kabinetit qeveritar, janë Lubomir Mariq – ministër i Pushtetit Lokal, Valon Murati – ministër për Diasporë, Bekim Çollaku – ministër për Integrime Evropiane, Dalibor Jevtiç – ministër për Komunitete dhe Kthim, Arban Abrashi – ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe Imet Rrahmani – ministër i Shëndetësisë.

Kabineti qeveritar: mosha, pasuria, votat.
Kabineti qeveritar: mosha, pasuria, votat. Ilustrimi: KALLXO.com