Të Prekurit nga Përleshja në Marshin e Kumanovës

Marshi pritet të zhvillohet në Kumanovë e Çair të Shkupit, ndërsa familjarë të atyre që luftuan, u vranë e u burgosën më 9 e 10 maj 2015 planifikojnë udhëtimin në mënyrë të organizuar.

Ismail Zekaj,babai i Valdet Zekajt njërit nga të arrestuarit në konfliktin e armatosur të vitit të kaluar tha se ata që u prekën nga ai konfrontim me armë janë ftuar nga kumanovarët për të marrë pjesë në marsh.

“ Jemi të ftuar nga qytetarët e Kumanovës edhe të Maqedonisë që të marrim pjesë në mënyrë masive edhe bashkëqytetarët e Kosovës. Andaj unë si prind jam duke organizuar dhe bëj ftesë që kush ka mundësi dhe ka dëshirë të marrë pjesë në ketë marsh paqësor në Kumanovë edhe në Çair të Shkupit,” tha Zekaj.

Zekaj tha se janë të pakënaqur me tretmanin  që ju bëhet familjarëve të tyre në burgjet maqedonase. Sipas tij, përveç të burgosurve nuk po trajtohen si duhet as  familjarët e tyre dhe nuk po respektohet asnjë e drejt.

“Nuk na lejojnë të marrim pjesë në gjykatë me dëgjuar gjykimin, vizita është e kufizuar, bëhen bastisje bëhen maltretime. Burg është, ne e kuptojmë që është burg,” thotë Ismajl Zekaj.

Në Maqedoni në shkurt të këtij viti nisi gjykimi ndaj 29 personave në lidhje me përleshjet në Lagjen e Trimave të Kumanovës. Ata akuzohen për terrorizëm dhe organizim terrorist.

Zekaj tha se është optimist që do ta ketë përkrahjen e qytetarëve që në mënyrë masive të marrin rrugë drejt Maqedonisë më 9 maj në marshin paqësor.

Protestë për zbardhjen e rastit Kumanova u mbajt edhe në tetor të viti të kaluar në qendër të qytetit të Pejës, ku u mblodhën qindra qytetarë për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre.

http://kallxo.com/proteste-ne-peje-per-zbardhjen-e-rastit-te-kumanoves/

KALLXO.com raportoi vjet për ngjarjet ne Kumanovë.

http://kallxo.com/ekskluzive-intervista-e-luftetarit-te-kumanoves-ne-jeta-ne-kosove/