Edita Tahiri në Komisionin për Punë të Jashtme | Foto: KALLXO.com

Tahiri: Serbia Provoi të Shfrytëzojë Ndryshimet në ShBA

Ministrja për Dialog Edita Tahiri, teksa raportoi para Komisionit për Punë të Jashtme tha se Serbia deshi të bëjë ndryshime në Ballkan në kohën kur në ShBA u ndërrua administrata nga Obama te Trump-i.

“Serbia provoi që në kobën e ndërrimeve të administratave në SHBA të bëjë ndryshime në Ballkan, por pa sukses. Ne patëm edhe arrestimin e ish-Kryeministrit Haradinaj, i cili po mbrohet në liri, si dhe trenin nacionalist,” tha Tahiri në komision.

Ajo e cilësoi Serbinë shtet që po punon për aspirata të Rusisë.

“U ballafaquam me provokime, ku Serbia shfaqi një agresion të hapur. Ne u sollëm të matur. Janë disa pista pse Serbia veproi ashtu. Edhe pse një shtet i vogël e i dobët në Ballkan, dëshiroi të ndërrojë gjeopolitikën në Ballkan me aspiratë të Rusisë,” tha Tahiri.

Ministrja deklaroi se synimi i Kosovës është anëtarësimi në OKB, pas saktësuar se kur do të ndodhë tentimi për anëtarësim.

“Synimi i jonë është të bëhemi anëtarë të OKB-së. E dimë që duhet punuar ende në këtë drejtim. Diplomacia e Kosovës po punon me angazhim maksimal, edhe diplomacia parlamentare po punon mjaftueshëm,” tha Tahiri.

Tahiri në komision përmendi temat e ardhshme që Kosovës i interesojnë të trajtohen në dialogun e Brukselit. Tha se në agjendë të këtij dialogu do të jenë në të ardhmen tema e njohjes reciproke, demarkacionit, reparacionet, të pagjeturit, dëmshpërblimet, depozitat bankare.

Disa nga temat e dialogut që përmendi Tahiri, ishin kërkesë e shumicës së të anketuarve në një sondazh të Institutit Demokratik të Kosovës të publikuar më 20 janar 2017.

http://kallxo.com/qytetaret-duan-ceshtje-tjera-ne-dialogun-e-brukselit/

Tahiri tha se muri në veri është hequr, ashtu siç kërkoi Kuvendi i Kosovës.

Por Pal Lekaj, anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme tha se nuk është respektuar rezoluta e Kuvendit për rrënim të murit.

“Nuk e keni respektuar rezolutën e Kuvendit, por keni nënshkruar një memorandum me Rakiqin, nuk e keni përmendur fare rezolutën. Në rezolutë ka pasë edhe gjëra tjera, si revitalizimi i urës,” tha Lekaj.

Në rezolutën e Kuvendit të Kosovës të miratuar më 29 dhjetor 2016, kërkohej që muri të rrënohej deri në fund të janarit 2017, ndërsa ai u hoq më 5 shkurt.

Lekaj tha se nuk është e vërtetë që shteti i Kosovës po forcohet, siç tha Tahiri, ngase atij po i ndalohen edhe ish-kryeministrat.

“Është për të ardhur keq që shtetit të Kosovës po i ndalohen qytetarët me fletarreste të Serbisë, që është ndërhyrje në shtetësinë tonë. Nuk e di qysh thoni që po forcohet shteti edhe pas arrestimit të ish-Kryeministrit dhe luftëtarit të lirisë,” tha Lekaj.

Edhe anëtari tjetër i komisionit, Zafir Berisha i tha ministres Tahiri se ju keni dhënë afate për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë, duke përmendur Marrëveshjen për Drejtësinë, por sipas tij ato po mbeten vetëm fjalë.

Në nëntor të vitit të kaluar ministrja për Dialog Edita Tahiri kishte thënë se marrëveshja për drejtësinë duhet të nisë së zbatuari më 10 janar 2017, por nuk ndodhi ashtu.

Krypometri, produkti i KALLXO.com që mat vërtetësinë e deklaratave publike, deklaratën Tahirit për marrëveshjen e drejtësisë e vlerësoi gënjeshtër.

Rrena e Kryptë për Marrëveshjen për Drejtësi