Ministrja Edita Tahiri dhe ambasadori i Sudanit në OKB Mustafa Osman Ismail - Foto: ZKM

Tahiri i Kërkon Sudanit Njohjen e Kosovës

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, është takuar me ambasadorin e Sudanit në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, Mustafa Osman Ismail, me të cilin ka diskutuar për mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ky vend afrikan.

Sipas një kumtese të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, në takimin që është zhvilluar të premten, ministrja Tahiri e ka informuar ish-ministrin e Jashtëm sudanez me të gjitha argumentet relevante për pavarësinë e Kosovës, duke kërkuar mbi këtë bazë që Sudani ta njoh shtetin e Kosovës.

“Njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Sudanit do të ishte një kontribut i drejtpërdrejtë i këtij vendit për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë”, citohet të ketë thënë ministrja Tahiri.

Ndërsa, ambasadori Ismail ka thënë se ai dhe shteti i tij i kanë përcjellë dhe vazhdojnë t’i përcjellin me interesim zhvillimet pozitive në Kosovë.

Ai theksoi se për përmbajtjen e këtij takimi do ta njoftojë Qeverinë e Sudanit, duke përcjellë një raport menjëherë tek Ministria e Punëve të Jashtme e vendit të tij.

“Ai gjithashtu inkurajoi që kontaktet dhe vizitat e ndërsjella të vazhdojnë, duke thënë se mirëpret një vizitë të delegacionit nga Kosova në Sudan me qëllim të rritjes së mirëkuptimit për çështjet e diskutuara”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Deri më tani Kosovën e kanë njohur 113 vende. Shteti i fundit që ka njohur Republikën e Kosovës është Singapori.

http://kallxo.com/kosoven-e-njeh-edhe-singapori/