Edita Tahiri - Foto: KALLXO.com

Tahiri: Serbia gjithmonë ka qenë në kërkim të pretekstit për skenarë të ndarjes së veriut nga Kosova

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë – Serbi, Edita Tahiri, ka thënë se Serbia gjithmonë ka qenë në kërkim të pretekstit për skenarë të ndarjes së veriut nga Kosova.

Tahiri ka shtuar se këtë e ka shfaqur indirekt edhe në dialogun në Bruksel, por siç tha ajo këtë nuk e ka lejuar asnjëherë.

“Serbia gjithnjë ka qenë në kërkim të pretekstit për skenarë të ndarjes së veriut nga Kosova, e ka shfaqur indirekt edhe në dialogun e Brukselit, sa isha kryenegociatore për shtate vite nuk e lejova asnjëherë, madje kur ishte nevoja ua tregoja se tokat shqiptare shtrihen deri te ‘molla e kuqe’” – ka shkruar Tahiri në një postim në Facebook.

Sipas Tahirit, këto tensione që po zhvillohen e kanë prapavijë ‘veriun’.

“Nuk është e rastësishme që Vuçiq sot i bëri thirrje SHBA-ve dhe NATO-s të ndërhyjë në veri për ta qetësuar situatën. Prandaj, Qeveria e Kosovës por edhe gjithë spektri politik, pozitë dhe opozitë, duhet të jenë në nivelin e përgjegjësisë shtetërore dhe kombëtare për të mos lejuar skenare që mund të destabilizojnë situatën dhe të çojnë ujë në mullirin e Vuçiqit” – ka përfunduar Tahiri.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Si reagim ndaj kësaj, Lista Serbe më 5 nëntor 2022 ftoi takim të jashtëzakonshëm me zyrtarë serbë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS, duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Dje, më 6 nëntor, në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletëdorëheqjet e tyre, e ndërsa sot disa nga ta janë parë edhe duke dorëzuar armët e pajisjet e tjera.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sot, deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar zyrtarisht mandatet.