Tahiri - Lajçakut: Marrëveshja finale duhet të jetë me njohje, pa formulime me dy kuptime

Edita Tahiri, ish-kryenegociatore në bisedimet Kosovë-Serbi ka pasur disa sugjerime për dialogun për përfaqësuesin të posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Nuk ka marrëveshje të paqes pa kreativitet dhe pa kompromis, mirëpo ai kompromis nuk duhet të kaloj vijat e kuqe të vendit. Marrëveshja përfundimtare duhet të jetë vetëm njohja reciproke, pa formulime dykuptimshme, është koha me shkru një histori të re, me hap një kapitull të ri të paqes mes Kosovës dhe Sebisë, leni anash formulimeve, do t`i lënë kohë çështjeve të hapura që të mbyllën”- tha ajo.

Në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Tahiri i tha emisarit Lajçak se një marrëveshje finale “nuk është vetëm për Kosovën dhe Serbinë, është për Bashkimin Evropian por edhe për Ballkanin”.

Tahiri pashtu ka thënë se gratë në Kosovë duhet të jenë më të fuqishme dhe politikisht.

“Unë jam një negociatore për paqen, 23 vite më parë për të përfunduar luftën, në konferencën e Rambujesë kam qenë gruaja e vetme në mesin e 15 burrave. Ne duhet t`i fuqizojmë gratë politikisht, nëse gruaja fuqizohet do të shohim më shumë gra në tavolina të bisedimeve. Presidentja sot është grua, kryeministri është burrë dhe ai vjen nga një parti politike dhe tani asnjë grua nuk është në tavolinën e bisedimeve”- tha ajo.

“Dua të ju them grave mos rrini larg politikës, nuk është letë, është sfiduese, por nëse përfshiheni atëherë do të jeni në vendimmarrje, ky është një mesazh”- shtoi ajo.

Monica McWilliams, negociatore e paqes në Belfast (e premtja e mirë) të nënshkruar në prill të vitit 1998 mes Britanisë dhe Irlandës Veriore, ka treguar për përvojën e saj në këto negociata duke thënë që gratë mbajnë shumë më mirë sekretet në bisedime sesa burrat.

“Ne është dashur të futemi në bisedime paqësore, armëpushimi ka qenë shumë i mirë. Unë e kam ditur se çfarë është të jetohet me luftën, nuk e kam ditur çfarë është të jetohet në paqe. Ne kemi pasur pasion dhe përkushtim dhe natyrisht që ka pasur edhe ndryshime kushtetuese. Në kemi bërë shumë gabime përderisa kemi arritur suksese, kemi jetuar me faktin që gjithçka nuk mund të ndryshohet brenda natës”- tha ajo.

Në Prishtinë sot dhe nesër do të mbahet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili organizohet  nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mbështetur nga EULEX-it.

Në kuadër do të zhvillohen 16 panele, në të cilat do të diskutohet çështje të ndryshme që lidhen me ndryshimin e arkitekturës së sigurisë, përfaqësimin e grave, të rinjtë dhe përballje e tyre me të kaluarën, rolin e parlamenteve, drejtësinë tranzicionale, rolin e medias dhe të shoqërisë civile, dhunën ndaj grave, ndryshimet klimatike dhe fuqizimi ekonomik i grave, gratë në sektorin e sigurisë dhe atë të teknologjisë informative etj.