Edita Tahiri - Foto: KALLXO.com

Tahiri reagon pas deklaratave të Escobarit për krijimin e Asociacionit

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk po ka mundësi t’i shmanget fillimit të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Tahiri kështu ka thënë pas deklaratave të e fundit të të dërguarit te Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili pas takimit që e pati sonte me Kurtin tha se duhet të fillojë themelimi i Asociacionit.

“Escobar kërkon Asociacionin menjëherë, siç po shihet as përpjekja e fundit e Kurtit për ta shmangur atë nuk pati sukses, madje as ‘tymi nga veriu’ nuk e ndihmoi” – ka shkruar Tahiri në Facebook.

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar tha se temë diskutimi në këtë takim ishte zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe plani franko-gjerman, ndërsa tha se diskutuan për nevojën që palët të qëndrojnë të qeta.

“Ne diskutuam për nevojën që të gjithë të qëndrojnë të qetë, nevojën për vazhdimin e dialogut. Ne duhet të fillojmë të flasim për zbatimin e Asociacionit, e kam bërë shumë të qartë këtë. Shpresoj se do të kemi një zgjidhje shumë afër në të ardhmen në këtë krizë”- tha Escobar.

Vizita e Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak  në Kosovë vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.

Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.