Ministrja për Dialog, Edita Tahiri - Foto: Qeveria e Kosovës

Tahiri: Kurti nuk guxon të bëj marrëveshje pa njohje reciproke

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë – Serbi, Edita Tahiri, ka reaguar pas marrëveshjes për çështjen e targave e cila u arrit mbrëmë në Bruksel.

Tahiri ka thënë se me arritjen e kësaj marrëveshje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “lëshoi pe”.

Ajo ka thënë me këtë marrëveshje nuk ka afat të caktuar, se për sa kohë në Kosovë do të qarkullojnë veturat me targa ilegale.

Sipas Tahirit, Qeveria Kurti nuk guxon të bëj marrëveshje pa njohje reciproke me Serbinë dhe se nëse “lëshon pe”, përballë do ta gjej popullin e Kosovës.

“Marrëveshja për targa u arrit, Kurti lëshoi pe, tash nuk dihet edhe sa kohë do të qarkullojnë targat ilegale në veri të vendit, meqë nuk ka afat marrëveshja. Sikur të dëgjoheshin amerikanët, afati do të ishte 10 muaj. Prapë nuk u bë publike marrëveshja, nuk i dimë edhe çfarë kompromise tjera ka bërë Kurti si në të kaluarën. Por një gjë e dimë, Kurti as Qeveria e tij nuk guxon të bëj marrëveshje pa njohje reciproke me Serbinë. Nëse lëshon pe, përballë do ta gjej popullin e Kosovës, të cilin e njoh mirë sepse është popull shembullor që din të mbrojë interesat kombëtare” – ka shkruar Tahiri në Facebook.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dje marrëveshje lidhur me çështjen e targave.

Lajmin e ka bërë të ditur Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

“Kemi një marrëveshje! Me kënaqësi të njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nën lehtësimin e BE-së kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre” – ka njoftuar Borrell në Twitter.

Bisedimet mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të zhvilluara nën ndërmjetësimin e Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak, më 21 nëntor, kanë përfunduar pa marrëveshje.

Përfaqësuesi i BE-së, Josep Borrell, kishte fajësuar Kurtin për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje.