Ilustrim

Blinken njofton arritjen e një armëpushimi 72 orësh në Sudan

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka njoftuar se, pas negociatave intensive gjatë 48 orëve të fundit, Forcat e Armatosura të Sudanit (SAF) dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) kanë rënë dakord të zbatojnë një armëpushim mbarëkombëtar 72 orësh duke filluar nga mesnata e së hënës.

Lajmi për armëpushimin vjen ndërsa shtetasit e huaj dhe civilë sudanezë vazhdojnë të largohen nga vendi.

Një autokolonë e OKB-së me 700 persona përfundoi një udhëtim të rrezikshëm prej 850 kilometrash nga kryeqyteti i Kartumit i përfshirë në luftime, për në Port Sudan, në brigjet e Detit të Kuq, ndërsa vendet dhe organizatat e huaja vazhdojnë përpjekjet për evakuimin e personelit të tyre nga konflikti midis dy fraksioneve ndërluftuese në Sudan.

Të shtunën, ushtria amerikane dërgoi tre helikopterë Chinook për të evakuuar personelin e Ambasadës amerikane nga Kartumi.

“Ne jemi krenarë për angazhimin e jashtëzakonshëm të personelit të ambasadës sonë, të cilët i kryen detyrat e tyre me guxim dhe profesionalizëm. Dhe ne jemi mirënjohës për aftësitë e pakrahasueshme të forcave tona të armatosura, të cilët evakuuan me sukses personelin e ambasadës. Falenderojmë Xhibutin, Etiopinë dhe Arabinë Saudite për ndihmën e rëndësishme në realizimin e suksesshëm të operacionit tonë”, tha Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.

Zëri i Amerikës pyeti Sekretarin Blinken se sa amerikanë kanë mbetur në Sudan dhe cilat janë opsionet e tyre. Blinken tha se nuk ka një shifër të saktë, por Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ndihmojnë shtetasit amerikanë t’i bashkohen operacioneve të organizuara nga vende të tjera.

“Ne e dimë, sigurisht, numrin e amerikanëve që janë regjistruar me ne dhe me të cilët jemi në kontakt. Dhe prej tyre, do të thosha se disa dhjetëra kanë shprehur interes për t’u larguar nga Sudani”, tha ai.

I pyetur për ndërhyrjen e huaj në luftimet në Sudan, Sekretari Blinken tha këtë për mercenarët e Grupit Wagner të Rusisë.

“Ne jemi të shqetësuar rreth angazhimit të grupit Wagner në Sudan dhe në vende të ndryshme të Afrikës. Ata thjesht shkaktojnë shumë vdekje dhe shkatërrim. Është shumë e rëndësishme që ne të mos shohim angazhim të tyre të mëtejshëm në Sudan. Unë e di se një numër vendesh janë shumë të shqetësuara për këtë”, tha Sekretari Blinken.

Një analist i tha Zërit të Amerikës se ka njoftime se grupi Wagner, i mbështetur nga Rusia, tani po furnizon me armë Forcat e Mbështetjes së Shpejtë të Sudanit, që po luftojnë kundër ushtrisë së Sudanit.

“Ata mund të kenë dërguar sisteme portative të mbrojtjes ajrore, raketahedhës, armë antitank, dhe armë të tjera që mund të përdoren për të goditur forcat e armatosura të Sudanit dhe automjetet e tyre të rënda ushtarake. Nëse kjo është e vertet, dhe nëse ata do t’i përdornin këto armë në luftë, kjo mund të ndihmonte për ta kthyer avantazhin në favor të RSF-së”, thotë Cameron Hudson nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Analisti Hudson i tha Zërit të Amerikës se Egjipti po mbështet hapur palën tjetër në konflikt, Forcat e Armatosura të Sudanit.

“Ata nuk e fshehin faktin se janë të interesuar që ushtria ta mbajë nën kontroll vendin. Ata kurrë nuk kanë qenë të interesuar të shohin një tranzicion të pushtetit tek civilët në Sudan”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Kenias, Alfred Mutua i bëri thirrje Grupit Wagner dhe të gjitha fuqive të huaja të ndërpresin furnizimin me armë të palëve të përfshira në konflikt, duke fajësuar vende të Lindjes së Mesme, pa i përmendur ato me emër. Ai tha gjithashtu se Kenia ka ofruar të ndërmjetësojë në konfliktin mes dy gjeneralëve të palëve ndërluftues dhe është optimiste se mund të arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund vuajtjeve të civilëve sudanezë./VOA