Ministrja për Dialog, Edita Tahiri - Foto: Qeveria e Kosovës

Tahiri Insiston për Lirimin e Nehat Thaçit

Edhe sot gjatë dialogut në Bruksel, Edita Tahiri ka insistuar që të lirohet nga Serbia komandanti rajonal i policisë në Mitrovicë.

Edhe sot në kuadër të dialogut të Brukselit, ministrja për Dialogun Edita Tahiri përsëri ka ngritur çështjen e arrestimit të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut Nehat Thaçi duke kërkuar që autoritetet serbe ta lirojnë atë menjëherë.

Tahiri tha për KALLXO.com se ka kërkuar edhe nga Bashkimi Evropian që të angazhohet për këtë çështje.

“Delegacioni i Kosovës do të vazhdojë presionet qe sa më parë të lirohet nga arresti nënkolonel Nehat Thaçi duke potencuar se kjo sjellje e Serbise ka dëmtuar frymën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore,” tha Tahiri.

Ajo arrestimin e Thaçit e vlerësoi sjellje arrogante të Serbisë

“Këto janë sjellje arrogante të Serbisë e cila në vend që të marre përgjegjësinë për gjenocidin në Kosove po shkel marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë dhe Bashkimi Evropian duhet të rrisë vëmendjen për te mos lejuar shkeljet e marrëveshjeve,” tha ministrja Tahiri.

Ajo reagoi për arrestimin e Thaçit edhe dje në Bruksel.

Nehat Thaçi u arrestua nga policia serbe të enjten në Pikën Kufitare “Dheu i Bardhë”nën dyshimet për terrorizëm.

Për masat që do të merren ndaj tij do të vendosë sonte Gjykata e Nishit.

http://kallxo.com/nehat-thaci-kthehet-ne-nish/