Tabelave Provuese u Vjen Fundi

Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka lejuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të nënshkruajë kontratën me operatorin “GSG & KIG & KIG KGA” për furnizim me targa. Kjo kontratë do t’i kushtojë shteti për 550 mijë euro më shtrenjtë se sa oferta më e lirë e dorëzuar, por se e njëjta sipas OSHP-së ka qenë e papërgjegjshme. Bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar në ueb-faqen e KRPP-së, kontrata për furnizim me targa do t’i kushtojë shtetit 1 milionë e 447 mijë euro për një periudhë prej 36 muajve.

“Vërtetohet, vendimi i AK-MPB-së, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizimi me targa për regjistrimin e automjeteve”. Autorizohet Autoriteti kontraktues për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Kompanitë ankuese në këtë tender, “G3 Inxhiniering”, “Malsija” dhe “Sinjal” u janë hedhur poshtë ankesat e deponuara në OSHP. Të gjitha kompanitë ankuese kanë ofertuar çmime më të lira se kompania e rekomanduar për kontratë.

Ankesa në OSHP ka paraqitur operatori NSHP “G3 Inxhininering & Rade Koncar”, të cilët kanë pasur një ofertë prej 1 milionë e 99 mijë euro. “Malsija & I.D.K Konstruksion” kishte një ofertë 1 milionë e 50 mijë euro. Ndërsa oferta më e lirë ka qenë ajo e operatori “Sinjal RKS Sh.p.k & EHA Hofman Interrnational Gmbh”, të cilët kanë ofertuar me 895 mijë euro.

OSHP-ja në vendimin e tyre ka dhënë shpjegime se pse i ka dhënë të drejtë MPB-së të nënshkruaj kontratë me ofertuesin më të shtrenjtë.

“Paneli Shqyrtues me rastin e vendimmarrjes pati parasysh dhe i kushtojë vëmendje të posaçme, se të tre OE-të ankues vërtet kanë çmimin më të ulët se OE i rekomanduar për kontratë, mirëpo të njëjtit janë të papërgjegjshëm sepse ofertat e OE-ve ankues nuk janë në harmoni të plotë me kërkesat e dosjes së tenderit dhe të specifikimit teknik të detyrueshëm”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Madje, Gjykata e Tenderëve thotë se nuk kanë kapacitete profesionale e teknike për të shqyrtuar disa nga çështjet e ngritura në këtë tender.

“Papërgjegjësinë e tyre (kompanive ankuese) e ka konstatuar edhe laboratori i Forenziës, i cili laborator është i vetmi i kësaj natyre në Republikën e Kosovës, dhe se paneli nuk posedon kapacitete profesionale- teknike, për ta kundërshtuar raportin e laboratorit të Forenzikës”, thuhet në vendimin e OSHP-së. “Paneli Shqyrtues vendosi t’i fal besimin raportit te Forenzikës si Institucion i akredituar në Republikën e Kosovës”.

OSHP-ja i ka hedhur poshtë pretendimet e dy operatorëve ankues (Sinjal dhe Malsija) se ofertuesit mund ta plotësojnë vetëm njërin nga standardet – ISO apo DIN. “…pra bëhet fjalë për dy certifikata që duhet t’i ofrojnë operatorët ekonomik ofertues dhe atë e bënë në mënyrë kumulative”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Tutje në vendimin e këtij institucioni thuhet se çështja e furnizimit me targa është interes publik dhe se qytetarët nuk mund të  kufizohen në lirinë e lëvizjes.

“Gjithashtu paneli shqyrtues me rastin e vendimmarrjes pati parasysh edhe interesin publik, nenin 104.4 të LPP-së, për faktin se është realitet që qytetarët e Republikës së Kosovës me muaj të tërë nuk mund të pajisen me targa dhe të njëjtëve mund të iu kufizohet liria e lëvizjes”, thuhet në arsyetimin e OSHP-së për këtë vendim.

http://kallxo.com/hyseni-oshp-ka-ne-dore-ceshtjen-e-targave/

Dyshimet në Tenderin e Shtrenjtë që Solli Targat Provuese

http://kallxo.com/zevendes-ministri-mpb-se-kerkon-hetim-te-prokurorise-per-targat/