Forca e Sigurisë së Kosovës. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Qeveria ndan prona në shfrytëzim për FSK-në dhe miraton strategji për kontrollin e disa armëve

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj më 05.03.2024 miratoi vendimin për dhënien në shfrytëzim të pronave për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe draft-strategjinë kombëtare për kontrollin e armë të vogla, të lehta dhe eksplozivëve 2024-2028.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se pronat që do u jepen në shfrytëzim FSK-së do ndikojnë në ngritjen e kapaciteteve operacionale.

“Pronat janë në pronësi të Republikës në disa zona kadastrale si Dumosh-Podujevë, Radujevë-Podujevë, Kaçubeg-Podujevë dhe Llukarë-Prishtinë. Këto prona janë të një rëndësie të vecantë strategjike për vendosjen e kapaciteteve ushtarake”- deklaroi Maqedonci.

Për strategjinë e kontrollit të armëve të vogla, të lehta dhe eksplozivëve (AVLE), kryeministri Albin Kurti tha se do të sigurohet një mjedis i sigurtë që eksplozivët të jenë në kontroll të plotë.

Ndërsa, inistri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi se qëllimi i strategjisë është ndërtimi i një mekanizmi për kontrollin dhe sigurimin e mjedisit të sigurtë për këto lloj armësh.

“Zhvillimi i kapaciteteve në fushën e AVLE-ve. Synim është edhe rritje e AVLE-ve të hyra ilegalisht. Synimi tjetër është shkatërrimi dhe zvogëlimi i këtyre armëve të konfiskuara. E gjithë kjo përmes rritjes së ndërgjegjësimit, edukimit. Strategjia dhe plani i veprimit kanë të inkorporuara të gjitha kërkesat që rrjedhin nga Bashkimi Europian”- deklaroi Sveçla.