Syfyri te Liqeni i Badovcit

I akuzuari Milazim Haxhiaj përmendi syfyrin duke iu përgjigjur pyetjes së avokatit Bajram Tmava, se pse e kishte dërguar Betim Ibrahimajn te liqeni i Badovcit në korrik të vitit të kaluar.

Haxhiaj tha se këtë e kishte bërë pasi Ibrahimaj i kishte kërkuar që të shkonin te ky liqen për të ngrënë. Tha se për këtë qëllim i kishin blerë pesë hamburgerë.

Betim Ibrahimaj ishte në arrest shtëpiak dhe është njëri nga të akuzuarit, ndërsa ende ndodhet në arrati. Për të është veçuar procedura.

Bashkë me Milazim Haxhiajn për përgatitjen e veprave terroriste, ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë, nga Prokuroria Speciale akuzohen Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Betim Brahimaj dhe Enis Latifi, ndërsa Fehmi Musa për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit se në korrik të vitit të kaluar kishin shkuar te liqeni i Badovcit afër Prishtinës me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Avokati Tmava pastaj e pyeti Haxhiajn se si i shpjegonte ai disa foto të realizuara ku shihej me armë.

I akuzuari tha se fotot i kishte realizuar nga vitet 2005-2010 kur ishte i ri, ndërsa donte ta imitonte UÇK-në.

Haxhiaj tha se nuk është përkrahës i ISIS-it, ndërsa është penduar pse është gjetur në atë situatë në Badovc.

“Nëse do t’i përkrahja ISIS-in dhe organizatat tjera terroriste do të gjendesha përkrah tyre,” tha Haxhiaj.

Në seancën e sotme para Haxhiajt duhej të merrej në pyetje i akuzuari Gazmend Haliti, por ai vendosi të mbrohej në heshtje.