Gjykimi i Fehmi Musës - Foto: KALLXO.com

Fehmi Musa: Njeriu që më ka ndalur të shkoja në Siri është Shefqet Krasniqi

Fehmi Musa, i akuzuar për ndihmë në kryerjen e veprave terroriste në rastin e njohur si “Badovci” ka dhënë sot mbrojtjen para Gjykatës.

Ai deklaroi se gjatë kohës kur pretendohet se ka kryer veprën penale, ishte muaji i Ramazanit, dhe po punonte si taksist, punë të cilën e kryen edhe tani.

Për natën kritike që kishte ndodhur në liqenin e Badovcit, Musa tregoi se kishte qenë duke falur namazin e natës në Hajvali dhe gjatë asaj kohe kishte pranuar disa telefonata nga Gazmend Haliti, i cili i kishte kërkuar që të shkonte ta merrte te liqeni i Batllavës.

“Gjatë asaj periudhe kam pranuar disa telefonata prej Gazmend Halitit dikur prej orës 02:00. Telefonatën e parë e kam pasur pas orës 02:00, i cili më ka telefonuar dhe më ka thënë më shku me marrë te Brana meqenëse ne branën e quajmë Batllavë”, tha Musa.

Më pas tregoi se ishte nisur për te Haliti dhe gjatë rrugës i njëjti përsëri i kishte telefonuar dhe i kishte thënë se hajde te Badovci e jo te Batllava.

Musa më pas tha se në veturën e tij kishte hipur Gazmendi së bashku me Betim Ibrahimajn, por që nuk kishte pasur dijeni për Betimin deri në momenti kur e ka parë.

“Kur e kam parë Betimin në veturë jam çuditë, dhe më pas Gazmendin e kam dërguar deri te shtëpia e tij në  Hajvali ndërsa Betimin e kam dërguar deri në Istog”, tha i akuzuari.

Më pas ai tregoi se e kishte pyetur Gazmendin pse kishte shkuar në Badovc, kurse i njëjti i kishte thëne se ka shkuar me fal namazin e natës, së bashku me Betimin dhe disa shokë të tjerë.

Në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Blerim Qela, se përse vendosi ta dërgonte Betimin në Istog, i pandehuri Fehmi Musa deklaroi se atë e ka njohur edhe më herët “dhe unë kur e kam blerë banesën time ai ka qenë inxhinier dhe planin e banesës time e ka bërë ai”.

“E kam dërguar sepse e kam pasur shok dhe nuk e mohoj që e kam pasë shokë. Por qysh ka ndodh rasti i Badovcit gjithmonë unë kam qenë i akuzuar prej Prokurorisë që unë e kam ditë pse kanë shkuar ata atje”, tha gjatë mbrojtjes së tij i akuzuari Fehmi Musa.

Më pas avokati i tij e pyeti nëse do ta dinte se këta persona kanë kryer veprën penale a do të shkonte t’i merrte me veturë, ai u përgjigj: “Unë po ju garantoj juve që sikur të kisha ditë që ata persona kanë dashtë me kry ndonjë sulm terrorist në vendin tim unë sot kisha me u gjyku për vrasje –  terrorizëm. Për këtë jam i bindur plotësisht që e them dhe e mbaj deri ne vdekje”.

Më pas u pyet edhe në lidhje me mundësinë e shkuarjes në Siri, por i akuzuari Fehmi Musa tha se ligjëratat e Shefqet Krasniqit e kishin ndalur që mos ta merrte atë rrugë.

“Po kam pasur mundësi por personi që më ka ndalur që të mos shkoj në  Siri, ka qenë imami Shefqet Krasniqi, i cili është gjykuar dhe është shpallur i pafajshëm”, deklaroi ai.

Kurse në pyetjet e prokurores speciale Drita Hajdari, i akuzuari Musa tha se për Gazmend Halitin nuk kishte pasur dijeni që kishte qenë në luftë në Siri por që e kishte kuptuar në kohën sa kishte qenë në paraburgim, ndërsa për Betim Ibrahimajn nuk e mohoi se kishte pasur dijeni.

“Nëse dikush shkon me u fal te liqeni i Badovcit duhet me shku me diçka, edhe duhet me u  kthy me diçka, kurse  ti the se ata nuk kanë pasur qysh me u kthy”, e pyeti tutje prokurorja Hajdari.

“Ish dashtë me vetë Betim ibrahimajn për këtë pyetje, kur unë ty të pyes qysh është e  mundur  me m’akuzu mua për terrorizëm, e zogun e ke lanë të lirë Betimin. Dhe unë nuk e kam ditur qysh kanë dashtë me u kthy, nuk është e  imja m’i bo presion askujt”, u përgjigj Musa.

Por më pas prokurorja Hajdari ia shpjegoi Musës se Betim Ibrahimaj nuk ka qenë në liri por ka qenë në arrest shtëpiak.

Ndërsa sa i përket Betim Ibrahimajt i akuzuari Fehmi Musa deklaroi se në bazë të informatave që kishte dëgjuar nga mediat dhe nga ana e Prokurorisë ai ishte vrarë në Siri.

Kurse Musa më pas tha se si qytetar i thjesht për drejtësi do ishte i gatshëm edhe të vdiste.

Por përsëri prokurorja Hajdari ia ktheu të akuzuarit që e kupton mllefin e tij që ka ndaj Prokurorisë, por ajo tha se e kryen detyrën e saj në bazë të provave që i posedon.

“Unë Fehmi e kuptoj mllefin tënd ndaj Prokurorisë, por unë e kryej punën time në bazë të provave”, tha prokurorja Drita Hajdari.

Tutje prokurorja iu drejtua trupit gjykues, duke thënë se Musa po e luan rolin e viktimës.

“Kërkoj falje se ky prej fillimit po e luan rolin e viktimës, po e përsëris se te ta u gjet municion, armë, maska, flamuri i ISIS-it, të  gjitha janë gjetur në  vendin e ngjarjes. Dhe po të realizohej ajo video si ishin ndjerë qytetarët e  Kosovës”, shtoi prokurorja Hajdari.

Kurse Musa ia ktheu se ai flamur nuk është flamur i ISIS-it, por flamur i Allahut.

“Mos e quani kurrë  flamur të ISIS-it, se ai është  flamur i Allahut që dëshmon që nuk ka Zot tjetër pos  Allahut… E pse e përdor ISIS unë nuk e di”, tha i akuzuari.

Në fund i akuzuari Musa shtoi se shpreson që do dalë e vërteta në pah.

“Kjo krejt çka ka qenë për mua sot, shpresoj shumë që të del e vërteta, tash qysh thotë populli e treta e vërteta, edhe po them çfarë dush vendimi ose nëse merret ndonjë dënim ndaj meje,  le ta përkujtojnë  edhe gjyqtarët  edhe prokurorja dhe çdo njeri tjetër, se nuk munden me m’dhanë dënim çfarë dënimi jep Allahu ndaj njerëzve të padrejtë dhe çfarë dush shpërblimi që vendoset të më jepet prej gjykatës ose prej institucioneve shtetërore nuk mund te më jepet shpërblim, për shpërblimin që më jep Allahu për sprovën dhe padrejtësinë që mu ka bo”, tha Musa.

Më pas në këtë shqyrtim gjyqësor u dha edhe fjala përfundimtare, ku prokurorja speciale Drita Hajdari kërkoi që Fehmi Musa të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

“Kosova si shtet dhe Prokuroria e Shtetit edhe tek e fundit  edhe Gjykata e kanë rolin ta luftojnë pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në një luftë e cila nuk është e  jona e që zhvillohet në Siri, dhe e parandalojmë shkuarjen dhe vdekjen e qytetarëve  tanë. Ju përkujtoj që deri sot janë vrarë 93 djem të rinj. Ne nuk kemi djem të rinj me leju me vdekë. Boll kemi pasur luftën tonë”, tha prokurorja Drita Hajdari.

Më pas ajo theksoi se në Republikën e Kosovës sipas saj shumica e banorëve janë myslimanë dhe që e respektojnë sheriatin, por ajo shtoi se në Kosovë nuk vendoset në bazë të ligjit të sheriatit dhe librit të shenjtë, por sipas ligjit të vendit. Duke shtuar se I akuzuari Musa u ndesh me ligjin.

Në fjalën e saj përfundimtare prokurorja gjithashtu bëri rikualifikimin e veprës penale, nga shtytja në terrorizëm në veprën penale ndihmë kryerësit pas kryerjes se veprës penale.

Kurse mbrojtësi I të akuzuarit Fehmi Musa, avokati Blerim Qela kërkoi nga Gjykata aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij.

Avokati Qela  lidhur me veprën penale që i vihet në barrë klientit të tij tha se në natën kritike i mbrojturi i tij nuk kishte kryer asnjë vepër për çka edhe po akuzohet.

“Pra që nga fillimi i shqyrtimit  gjyqësor dhe në të gjitha fazat nuk është gjetur asnjë fakt relevant për veprën penale  që i vihet në barrë. Nga të gjitha shkresat e lëndës vërtetohet shumë qartë se i akuzuari Musa ishte duke punuar si taksist dhe s’kishte asnjë kontakt paraprak me ta”, tha avokati  Qela.

Ndërsa i akuzuari Musa në fjalën përfundimtare tregoi një histori lidhur me drejtësinë ku tha se “Edhe unë jam i bindur që nëse nuk e qitni drejtësinë në vend, Allahu do e qet për mua dhe unë po them po tutna dikush  po dëmtohet”.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 13 maj.

https://kallxo.com/gjykimi-per-rastin-badovci-fehmi-musa-serish-deklarohet-i-pafajshem/

Gjykata Supreme  për herë të dytë e ka kthyer në rigjykim rastin e njohur si “Badovci”, por për dallim prej herës së parë, këtë herë Supremja ka vendosur vetëm për njërin nga të akuzuarit.

Fehmi Musa ishte dënuar me 3 vjet burg nga Gjykata Themelore dhe më pas i ishte vërtetuar ky dënim nga Gjykata e Apelit, mirëpo Supremja e ka kthyer çështjen në rigjykim.

Musa ishte dënuar për veprën penale të ndihmës në shtytje në kryerjen e veprave terroriste.

Tre të akuzuarit tjerë Milazim Haxhiaj, Gazmend Haliti dhe Enis Latifi në korrik të vitit të kaluar u dënuan me nga 3 vjet e gjysmë burg, ndërsa Besnik Latifi u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg.