I akuzuari Fehmi Musa në sallën e gjykatës. Foto: Kallxo.com

Mungon prokurori dhe mbrojtësi, dështon seanca për terrorizëm ndaj Fehmi Musës

Seanca e gjykimit ndaj Fehmi Musës, i akuzuar për veprën penale që lidhet me terrorizëm në rastin “Badovci”, ka dështuar sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës për shkak të mungesës së prokurores së rastit, Drita Hajdari, dhe mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Blerim Qela.

Kryetarja e trupit gjykues Valbona Selimaj deklaroi se prokurorja dhe mbrojtësi mungojnë në seancë.

Ajo tha se gjykata nuk ka prova që ata janë ftuar në mënyrë të regullt pasi që mungojnë fletëkthesat në shkresat e lëndës.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 1 shkurt.

Gjykata Supreme  për herë të dytë e ka kthyer në rigjykim rastin e njohur si “Badovci”, por për dallim prej herës së parë, këtë herë Supremja ka vendosur vetëm për njërin nga të akuzuarit.

Fehmi Musa ishte dënuar me 3 vjet burg nga Gjykata Themelore dhe më pas i ishte vërtetuar ky dënim nga Gjykata e Apelit, mirëpo Supremja e ka kthyer çështjen në rigjykim.

Musa ishte dënuar për veprën penale të ndihmës në shtytje në kryerjen e veprave terroriste. Tre të akuzuarit tjerë Milazim Haxhiaj, Gazmend Haliti dhe Enis Latifi në korrik të vitit të kaluar u dënuan me nga 3 vjet e gjysmë burg, ndërsa Besnik Latifi u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg.

https://kallxo.com/gjykata-supreme-pjeserisht-e-kthen-ne-rigjykim-rastin-badovci/

Fehmi Musa, muajin e kaluar dha një intervistë për emisionin “Drejtësia në Kosovë” ku foli gjerësisht për rastin e tij.

Rrëfimi për të rikthyerit