Sulmuesi i Kosovës kërkon më shumë

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, tha se lojtarët e Kosovës nuk janë ndarë të kënaqur me barazimin e marrë sonte në Baku kundër Azerbajxhanit në kuadër të Ligës së Kombeve.

“Në futboll, nëse nuk mund të fitosh, mos e humb ndeshjen. Megjithatë, nuk jemi fort të kënaqur dhe kjo është e mirë. Kosova më nuk po kënaqet me barazim”, tha Muriqi pas ndeshjes.

“Pas tri ditëve është lojë historike. Nëse fitojmë ndaj Ishujve Faroe, kjo pikë është shumë e rëndësishme për ne”, tha Muriqi.

Më herët përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, është ndarë i kënaqur me barazimin që Kosova mori sonte në ndeshjen ndaj Azerbajxhanit në Baku.

Pas ndeshjes, Challandes tha se lojtarët e tij bënë ndeshje të mirë.

“Jam i lumtur me mentalitetin e ekipit sepse kemi punuar shumë në aspektin defansiv. Ka qenë ndeshje e mirë në aspektin defansiv”, tha Challandes.

“Por patjetër mund të luajmë më mirë me topin”, shtoi ai.

“Ka qenë ndeshja e parë, absolutisht shumë e vështirë dhe kemi qenë mes dy ideve. Ndoshta me këtë presion nuk e kemi marrë rrezikun e duhur”, tha ai.

Në këtë përballje me pak raste për të shënuar, Kosova arkëtoi një pikë në garën për t’u ngjitur në grupet më të larta në klasifikim.

Në këtë garë, Kosova është pjesë e Ligës së Tretë, Grupi D, bashkë edhe me Maltën dhe Ishujt Faroe.

Ndeshjen e ardhshme Kosova do ta zhvillojë më 10 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.