Studiuesja polake Agata Rogosh - Foto: KALLXO.com

Studiuesja Polake Ligjëron për Gratë Shqiptare në Shqip

“Mund ta presësh lulen, por nuk mund ta ndalosh ardhjen e pranverës”.

Me këtë citat nga filmi “Gra pa Burra” i Shirin Neshatit e nisi ligjëratën e saj studiuesja polake Agata Rogosh me rastin Ditës Ndërkombëtare të Grave në Universitetin e Prishtinës.

Rogosh, e cila kryen hulumtime në kuadër të Institutit të Sllavistikës pranë Universitetit Humbolt të Berlinit, paraqiti ligjëratën e saj të emërtuar “Rezistenca e Grave: Arti dhe Jeta” ku çmbështolli një sërë veprash artistike shqiptare për ta analizuar portretizimin e gruas në to.

Rogosh është pjesë e një grupi profesorësh që kanë ardhur në Kosovë për vizitë studimore.

Para fjalës së studiueses, dekania e Fakultetit të Filologjisë të UP-së, Lindita Sejdiu- Rugova, ka folur për historikun e lëvizjes për të drejtat e grave.

“Kjo ditë nuk shërben vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe e prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në gati nëntë dekada,” ka thënë Sejdiu- Rugova.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në gjuhën shqipe, Rogos ka folur për dramën “Gishti” të Doruntina Bashës, e cila ka të bëjë me të pagjeturit e luftës së Kosovës.

“Drama është shumë e rëndësishme për të treguar rolin dhe pozitën e grave të cilat kanë humbur burrat apo djemtë, e cila në vetvetiu është luftë që ka ndodhur brenda vetvetes për të krijuar një realitet me qëllim kthimin e normalitetit,” ka thënë ajo.

Duke folur për imazhin e aktivisteve në syrin e publikut, ajo tha se ka shumë perceptime të gabuara.

“Ne shpeshherë kemi një paragjykim apo jemi duke ndjekur ca stereotipa se aktivistet a feministet duhet të jenë edhe në pamje, edhe në sjellje shumë anti-femërore, gjë që nuk është e vërtetë sepse femrat që janë aktiviste luftojnë për një formë të re të jetës,” ka thënë Rogosh.

Ajo po ashtu ka folur për veprën “Sikur të isha djalë” të Haki Stërmillit, për të cilën ka thënë se ka pasur mesazh shume të veçantë i cili nuk është aktual vetëm për kulturën shqiptare por edhe në vendet tjera ku ka kryer përvojë.

“Çështjet që parashtrohen në këtë libër lidhen me mendimin për jetën e një gruaje që duhet të jetë pjesëmarrëse në jetën shoqërore,” ka thënë ajo.

Në fund, ajo foli për romanin e shkrimtares shqiptare Ornela Vorpsi, “Vendi ku askush nuk vdes,” i cili është i shkruar në italishte dhe ende nuk është shqipëruar.

“Është një përshkrim i përvojës që ndoshta nuk është veçantë vetëm për femrën shqiptare, natyrisht është lidhur me një situatë të kulturës patriarkale me të cilën të gjithë jemi duke u ballafaquar. Ky nuk është një roman anti-mashkullor, është një përpjekje për të treguar një lloj vështirësie dhe dallimet që lidhen me funksionimin në një realitet të caktuar,” ka thënë ajo.

Rogosh e përmbylli ligjëratën me një shkëputje nga libri i Vorpsit.

“Në këtë vend një vajzë duhet të ketë vëmendje të posaçme ndaj njollosjes; një mashkull mund të lahet me një copë sapuni dhe pastaj të jetë i pastër, por një vajzë kurrë nuk mund të pastrohet pa marrë parasysh sa ujë përdor, dhe po të jetë krejt oqeani,” ka thënë Rogosh duke iu referuar librit.