Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: KALLXO.com

Kurti: Barazia gjinore është themeli i barazisë shoqërore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se barazia gjinore është themeli i barazisë shoqërore, në një adresim për Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Agjencia për Barazi Gjinore ka organizuar ngjarjen me temën “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithëpërfshirjen”, me rastin e Ditës së Gruas. Në këtë ngjarje ka marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

“Organizimi i përbashkët institucional dhe shoqëror është e vetmja alternativa, barazia gjinore është themeli i barazisë shoqërore. Gratë e bëjnë aktivizimin e dyfishtë, merren me politikat e përditshme por edhe me politikat gjinore. Duhet t’i aktivizojmë gratë e shkolluara dhe ti shkollojmë gratë aktive. Po punojmë që fëmijët e vegjël të rritet e socializohen, me vlera që promovojnë pranimin gjithpërfshirës dhe barazinë gjinore”, tha Kurti.

Në Prishtinë sot do të protestohet kundër vrasjes së grave.

Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” organizon marshin tradicional protestues kundër vrasjes së grave, duke marshuar nga ora 10:00, nga Pallati i Drejtësisë në Hajvali deri tek Sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë dhe për të vazhduar deri te Qeveria e Kosovës në ora 12:00.