Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Foto: KALLXO.com

Osmani bën thirrje për barazi gjinore në Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë thirrje për barazi gjinore, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas që shënohet sot.

Agjencia për Barazi Gjinore ka organizuar ngjarjen me temën “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithëpërfshirjen”, me rastin e Ditës së Gruas. Në këtë ngjarje ka marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

“Uroj përfundimisht për barazi mes të atij dhe asaj, sa më shumë që jetësohet ky synim aq më mirë do të jetë për ne,  vendin dhe shoqërinë tonë. Ky 8 mars përkon me një kohë ku ne ballafaqohemi me sfida të mëdha, duke përfshirë rritjen e rasteve të dhunës. Është e qartë tashmë se barazia gjinore dhe të drejtat e grave janë themelore, në mund të arrijmë prosperitet vetëm atëherë kur do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e grave”, tha Osmani

“E dimë të gjithë se ligjet ne parim tingëllojnë mirë, por nga fjalët tek veprat hendeku vazhdon të jetë i thellë, ky mbetet angazhimi jonë i përbashkët. Na duhet mobilizim e vendosmëri, sepse burimin e kemi të gatshëm, vitin e kaluar Kosova fitoi dy medalje, vajzat dhe gratë dëshmuan se ja dalin fuqishëm”, shtoi presidentja.

Në Prishtinë sot do të protestohet kundër vrasjes së grave.

Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” organizon marshin tradicional protestues kundër vrasjes së grave, duke marshuar nga ora 10:00, nga Pallati i Drejtësisë në Hajvali deri tek Sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë dhe për të vazhduar deri te Qeveria e Kosovës në ora 12:00.