Ilustrim

Skepticizëm për jetëgjatësinë e masës tregtare ndaj Bosnjës dhe Serbisë

Qeveria e Kosovës para pak ditësh ka marrë vendim që të vendosë një masë tregtare prej 10% për produktet e Serbisë dhe Bosnjës.

Ky vendim u përshëndet nga krerët shtetëror,  Klubi i prodhuesve të Kosovës, Oda ekonomike e Kosovës, Shoqata e qumështarëve të Kosovës, si dhe shumë njohës të ekonomisë, ndonëse të gjithë kishin një dozë të madhe të skepticizmit për jetëgjatësinë e këtij vendimi, sidomos pas reagimit të Zëdhënëses së  Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, e cila kërkoi që një vendim i tillë të revokohet.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për KALLXO.com ka thënë se masa prej 10 % vlen vetëm produktet të cilat janë vetëm të Serbisë dhe të Bosnjës  dhe jo për brendet ndërkombëtare.

“Doganat e Kosovës e posedon një listë gjithëpërfshirëse të produkteve, me të cilën bënë identifikimin e mallrave në kufi. Masa që është marrë prej 10 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, vlen për të gjitha produktet që janë nga këto dy shtete, por jo edhe për ato brenda që janë ndërkombëtare” kanë thënë ata duke mos dashur të tregojnë se cila është ajo listë.

Ndërsa për mundësinë e revokimit të këtij vendimi MTI-ja ka thënë që pret për instruksionet e Qeverisë së Kosovës.

Kusari-Lila: Vendimi i qeverisë së Kosovës, vendim i mangët

Anëtarja e komisionit për zhvillim ekonomik në Kuvendin e Kosovës ka thënë për KALLXO.com se një vendim i tillë nuk do të zgjasë shumë pasi që nuk vë asnjë kusht karshi palës serbe.

“Është brengosës fakti se kjo masë nuk ka ndonjë efekt dhe rezultat konkret në favor të Kosovës. Jetëgjatësia e masës do të jetë e shkurtër për shkak se Kosova nuk ka shtruar ndonjë kërkesë, Kosova do të duhej të kishte një kërkesë më të matshme dhe më të konkretizuar. Ne mund t’i realizojmë kërkesat tona përveç masave tona”, tha jo.

Sipas saj një masë e tillë nuk do të i godasë kompanitë serbe por e gjitha kjo do të i faturohet konsumatorit kosovar pasi që çmimet do të rriten edhe më shumë.

“Kjo realisht nuk do të ketë ndonjë efekt të rëndë ekonomik tek produktet serbe por më tepër tek konsumatori kosovar për shkak se jam shumë e sigurt që shitësit dhe distributorët që prej dje kanë filluar me ngritje të çmimeve ndërsa këtë e paguajnë qytetarët e Kosovës. Ky vendim e ka edhe defektin që përjashton produktet e kompanive të huaja të cilat prodhohen në Serbi është dashur që me një vendim të përgjithësuar të jetë një masë më drastike dhe të përfshihen të gjitha veprimet në Serbi në mënyrë që presioni të rritet nga ana e palës serbe” tha tutje Kusari- Lila.

Limani: Pavarësisht presionit, të mos revokohet vendimi

Musa Limani, ekspert i ekonomisë ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës është një vendim i drejtë i cili mbronte konsumatorin kosovarë dhe e  vetëdijëson atë për konsumimin e produkteve vendore.

“Në Kosovë qeveria ka kompetenca të plota në mënyrë që të përcaktoj instrumentet e politikës dhe ekonomisë së jashtme. Në aspektin ekonomik dhe politik vendimi i qeverisë është shumë i drejtë, sepse duhet të mbrohet prodhuesi vendor, është e vërtetë që ngrihet çmimi i produkteve por kjo masë duhet të ndikoj edhe në ngritjen e vetëdijes së konsumatorit që të konsumoj produkte vendore dhe jo të importuara” tha tutje Limani.

Sipas Limanit një veprim i tillë nuk shkelë marrëveshjen e CEFTA-së e as Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim.

“Në rastin tonë veçmas me Serbinë por edhe me Bosnjën Kosova nuk ka marrëdhënie të mira politike e as ekonomike prandaj në dy anët ky vendim është i drejtë. Një vendim i tillë nuk e shkelë as CEFTA-në e as MSA-në. Jetëgjatësia e këtij vendi varët nga vendimet e qeverisë e cila nuk duhet të lëshoj pe në këtë drejtim dhe nëse ende vazhdon një situatë e tillë duhet të vendoset një bllokadë ekonomike sepse ne mund të marrim produkte edhe nga vendet e tjera nuk jemi të varur nga produktet e Serbisë” tha ai.