Ukraina dhe tregtia në qendër të vizitës së udhëheqësve evropianë në Kinë

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbërritën sot në Kinë për një vizitë tre-ditore.

Ata do të zhvillojnë një takim me Presidenin kinez Xi Jinping, në qendër të së cilit pritet të jetë lufta në Ukrainë.

Pjesë e diskutimeve do të jenë edhe çështjet tregtare dhe të drejtat e njeriut.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot se Kina mund të luajë rol të rëndësishëm në luftën e Ukrainës, për shkak të marrëdhënieve të afërta të Pekinit me Moskën.

Pak pas mbërritjes së tij në Pekin, zoti Macron tha se dialogu me Kinën është thelbësor dhe se Moska nuk mund të lejohet të ketë dialog ekskluziv me Pekinin.

“Kina propozoi një plan paqeje. Ne e mirëpritëm, por nuk jemi dakord me të në tërësi. Megjithatë, plani dëshmon vullnetin për t’u angazhuar në zgjidhjen e konfliktit. Edhe nëse nuk sjell paqe, plani tregon vullnet për të marrë përgjegjësi drejt ndërtimit të një rruge drejt paqes dhe shpresoj të jemi në gjendje të marrim pjesë në nisma të dobishme për popullin ukrainas”, tha zoti Macron në një fjalim para komunitetit francez në Pekin.

Kjo është vizita e parë e zotit Macron në Kinë nga viti 2019 dhe e para e zonjës von der Leyen si udhëheqëse e organit ekzekutiv të Bashkimit Evropian.

Takimi i tyre me presidentin kinez Xi Jinping zhvillohet nesër.

Muajin e kaluar, Pekini parashtroi një plan 12 pikësh për t’i dhënë fund luftës, ku bënte pjesë thirrja për armëpushim, bisedimet e paqes dhe ndërprerja e sanksioneve kundër Rusisë.

Por plani nuk e cilësonte Moskën si agresore në luftë dhe nuk ofronte hollësi mbi integritetin territorial të Ukrainës.

Javën e kaluar, von der Leyen tha se asnjë plan paqeje që pranon marrjen nga Rusia të territorit ukrainas, nuk mund të jetë i zbatueshëm.

Në një fjalim që shkaktoi pakënaqësi tek autoaritetet kineze, ajo kritikoi Pekinin që po mbështet drejtpërdrejt luftën e Moskës në Ukrainë dhe i ciësoi marrëdhëniet BE-Kinë si më të ftohta dhe më të vështira.

Krahas Ukrainës, në qendër të vizitës do të jenë edhe çështjet ekonomike dhe të drejtat e njeriut.

Kina është një partner, por edhe rival tregtar i Bashkimit Evropian.

Vizita synon të shfaqë një front të përbashkët evropian ndaj Kinës mes fërkimeve në rritje, thonë analistët.

Pjesë e delegacionit evropian janë drejtuesit e mbi 50 kompanive të mëdha evropiane, duke përfshirë gjigandin francez të energjisë EDF, prodhuesin e hekurudhave Alston dhe atë të avionëve Airbus.

Aktivistët për të drejtat e njeriut presin nga zoti Macron që gjatë takimeve me autoritetet në Pekin, të dënojë shtypjen e veprimtarëve kinezë, popullit të Hong Kongut, ujgurëve dhe tibetianëve.

Vizita e udhëheqësve evropianë vjen gjithashtu mes tensioneve gjithnjë në rritje midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, dy ekonomive më të mëdha në botë. VOA