Mallra në një supermarket - Foto: REL

Shtohet qarkullimi në sektorin e shërbimeve në vend

Anketa e realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), lidhur me qarkullimin në sektorin e shërbimeve në vend, për muajin mars 2022, tregon se këtij sektori iu shtua puna, së bashku me të dhe punësimi. Tregtia mbetet faktori kryesor në këtë rritje.

Sipas kësaj ankete, në muajin mars të vitit 2022, indeksi i qarkullimit në sektorët e shërbimeve, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, mars 2021,  kishte rritje te: tregtia 44.09 për qind,  transporti dhe magazinimi 8.3 për qind, hotelet 15.09 për qind, informacioni dhe komunikacioni 24.54 për qind dhe aktivitetet e arkitekturës e të inxhinierisë  26.52 për qind.

Kurse, rënie kishte te Bar-Restorante -18.95 për qind dhe agjencitë e udhëtimit me -16.56 për qind.

ASK tregon edhe për numrin e të punësuarve në sektorin e shërbimeve për muajin mars.

“Në muajin mars të vitit 2022 numri i të punësuarve në sektorët e shërbimeve krahasuar me muajin e njëjtë të vitit (Mars 2021) paraprak ishte: Tregti 42.09%; Transport dhe Magazinim 11.45%; Hotele 10.15%; Bar-Restorane 13.52%; Informacioni dhe Komunikacion 21.59%; Aktivitete Arkitekture dhe Inxhinierike 27.47% dhe Agjenci udhëtimi 12.77%.”, thuhet ne indeksin e ASK-së.

Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e anketës “Statistikat Afatshkurtra të Shërbimeve” për muajin mars të vitit 2022.