426.1 milionë euro deficiti tregtar ne muajin korrik sivjet

Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), lidhur me  tregtinë e jashtme të mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 15.8 për qind në muajin korrik të sivjetmë, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 426.1 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 367.8 milionë euro në vitin 2021.

Eksporti mbulon importin me 15.2 për qind.

Eksporti i mallrave në muajin korrik 2022 kishte vlerën 76.2 milionë euro, ndërsa importi 502.4 milionë euro, që është një rritje prej 22.5 për qind për eksport dhe 16.8 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

ASK njofton se çka u eksportua më shumë

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 26.1% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 16.2%) e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 13.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.6% e përbëjnë produktet minerale; 6.1% e përbëjnë produktet bimore, etj”- thuhet në njoftimin e ASK-së.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import ASK tregon se 17.5 për qind e përbëjnë produktet minerale; 13.2 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.0 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.5 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 7.0 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 6.6 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.2 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Afër 211 milionë euro import nga vendet e BE-së

Të dhënat për shkëmbimin tregtarë me 27 vendet e Bashkimit Europianë treojnë se eksportet e Kosovës drejt këtyre vendeve arritën në 26.4 milion euro, ose rreth 34.6 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 29.8 për qind, me partnerë kryesorë për eksportin e mallrave   Gjermania 10.3 për qind, Italia 4.7 për qind Danimarka 4.7 për qind etj.

ASK tregon se Importi i mallrave nga vendet e BE-së në muajin korrik ishte afër 211 milionë euro

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 210.9 milion Euro, ose 42.0% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 8.6%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (10.6%), Greqia (8.4%), Italia (4.9%), etj.”, tregon ASK.

Eksporti i Kosovës me vendet e CEFTA-së në rënie

Në muajin korrik 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-së arritën në 25.8 milionë euro, ose 33.9 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej -4.2 për qind.

Partnerë kryesorë të Kosovës për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Maqedonia e Veriut 10.7 për qind, Shqipëria 10.4 për qind, Serbia 6.6 për qind dhe Mali i Zi 4.7 për qind.

Importi i Kosovës nga vendete e CEFTA-së, siç thuhet në komunikatë ishte mbi 88 milionë euro.

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin korrik 2022, arritën në 88.4 milion Euro, ose 17.6% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 5.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.4%), Maqedonia e Veriut (4.5%), dhe Shqipëria (3.8%).”,  thuhet në komunikatë.

Importi i Kosovës nga vendet e tjera të botës, kalon 200 milionë euro

Eksporti Drejt vendeve të tjera të botës, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Zvicër , sic bën të ditur ASK, ishte

“Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 24.0 milion Euro, ose 31.5%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport, vlen të përmenden: SHBA (12.2%), dhe Zvicra (6.9%).” , bën të ditur ASK.

Ndërsa, importet e Kosovës  me vendet e tjera të botës arritën në 202.9 milion euro, ose 40.4 për qind.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia  13.0 për qind dhe Kina 10.7 për qind.

Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin korrik 2022.