Shtyhet Seanca e Rastit të Shyhrete Berishës

Mosprania e avokateve Shpresa Berisha dhe Shemsije Sheholli të të paditurve Arben e Xhelal Berisha ka bërë që të dështojë seanca e sotme në rastin e Shyhrete Berishës nga Suhareka, e cila është duke e vijuar betejën gjyqësore me kunatin rreth pronësisë së shtëpisë, në të cilën ajo ka jetuar me bashkëshortin dhe katër fëmijët deri në ditën kur këta u vranë nga forcat serbe më 26 mars 1999.

Në seancë ishte prezent vetëm avokati i Shyhrete Berishës, ndërsa gjykatësi i njoftoi palët se avokates së Xhelal Berishës ftesa i ka shkuar në adresën që është në vulën e avokatit, ndërsa posta e ka kthyer fletë-kthesën pa arsyetim.

“Në fletë-kthesën e postës shihen dy data, por nuk ceket që a është tentuar për t’u dorëzuar ftesa në këto data, ndërsa avokatja Shpresa Berisha nuk është ftuar në mënyrë të rregullt”, tha gjykatësi.

Seanca e ardhshme u caktua për më 15 prill, kur do të dëgjohen edhe katër dëshmitarë.

Ndërsa, në një prononcim për KALLXO.com, avokati i Shyhrete Berishës, Naim Qelaj, tha se ky rast gjyqësor duhet të reflektojë në ndryshimet ligjore për trashëgiminë, sepse, sipas tij, ligji aktual e diskriminon femrën. [interaction id=”56e1b99a518248f65e6a9f7a”]

“Unë konsideroj se nuk është kryesorja mosmbajtja e kësaj apo një seance sa është me rëndësi fakti që kemi të bëjnë me një lëndë e cila edhe më parë e kam konstatuar që duhet të reflektojë në ndryshimet ligjore, sidomos në Ligjin për Trashëgimi, ngase kohëve të fundit është bërë shumë aktuale kjo çështje pasi Ligji në njëfarë mënyrë në vetvete e diskriminon femrën”, theksoi avokati pas seancës në Gjykatën Themelore të Prizrenit, dega në Suharekë.

Avokati Qelaj tha se ka kërkuar që seanca e ardhshme të mos mbahet gjatë këtij muaji, pasi që marsi është muaj i dhimbshëm për klienten e tij, të cilës forcat serbe 17 vjet më parë ia vranë bashkëshortin dhe katër fëmijët.

“Ishte kërkesë e imja që seanca e radhës të jetë pas asaj date, do të thotë pas datës kur ka ndodhur kjo masakër (26 mars), më qëllim që edhe vetë paditësja Shyhrete Berisha të jetë në gjykim. Sigurisht, qëllimi jem është që edhe ajo të jetë e njoftuar me rrjedhën e gjykimit, të jetë prezent në rastin kur merren në pyetje dëshmitaret, ngase në seancën e radhës parashikohet që të merren në pyetje 4 dëshmitarë, të cilët kanë marrë pjesë në ndarjen e pronësisë mes bashkëshortit të Shyhretes dhe vëllezërve të tij”, tha avokati.

Shyhrete Berisha i ka mbijetuar masakrës së forcave serbe të 26 marsit 1999, në të cilën asaj iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve ishte nën dyvjeçar, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur.

Mirëpo, pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës.

http://kallxo.com/shyhrete-berisha-nuk-e-pranon-banesen-ne-prishtine-kerkon-shtepine-e-vet/