Shpend Ahmeti. Foto: Kallxo.com

Shpend Ahmeti Flet për Deklaratat e Molliqajt

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar në lidhje disa deklarata të ish Sekretarit Organizativ të VV-së, Dardan Molliqaj, të bëra mbrëmë në një intervistë televizive.

Molliqaj kishte folur mbrëmë në KTV rreth asaj që ai e cilësonte frikë të Albin Kurtit se Shpend Ahmeti mund t’ia marrë kontrollin e partisë si dhe për dyshimet për “marrëveshje” me ambasadat e huaja në Kosovë.

Sipas Ahmetit deklaratat se ai ka marrëveshje të shkruara me ambasadat për ta rrëzuar nga posti Albin Kurtin nuk qëndrojnë.

“Për të parën, dua të them që nuk e di a ka thënë apo jo Albini këtë, por tashmë e dëgjova disa here këto ditë nga njerëz të ndryshëm. Mua, askush në këtë periudhë nuk ma ka thënë e as që e ka shpreh këtë brengë. Në qoftë se vërtetë paskan menduar kështu edhe Albini, Dardani edhe të tjerët, atëherë është e dhimbshme. Me mish e me shpirt kam kontribuar në realizimin e koncepteve programore e statutore të Lëvizjes. E për ambasadat e “marrëveshjet” as që ja vlen të them diçka”, ka shkruar Ahmeti.

Ndërsa për deklaratën e dytë se krerët e LVV kanë pasur frikë nga kandidimi i Ahmetit për kryetar të LVV-së, ai tha se nuk ka pasur asnjë ambicie në lidhje me këtë.

“Jam ithtar i diskutimeve të sinqerta dhe besimit të ndërsjellë në një subjekt politik. Prandaj edhe nuk e kuptoj diskutimin e frikës nga kandidimi im për kryetar të Lëvizjes në vitin 2015. As këtë gjë askush nuk e ka diskutuar me mua direkt atë vit. Po të më pyeste dikush në vitin 2015, për dy minuta do i tregoja se nuk kam pas kurrfarë ambicie e as dëshire me u bo kryetar I LVV”, ka shkruar më tutje Ahmeti duke shtuar se edhe sot nuk ka ambicie të tilla.

Sipas Ahmeti qëndrimet e tija siç i është referuar ai ‘të buta’ i ka shprehur në të gjitha forumet e Lëvizjes pa marr parasysh se a është pajtuar apo jo me to.