Foto: Kallxo.com

Shoqëria ‘Lëvizja’ kërkon zbardhjen e vrasjeve të të burgosurve politikë

Shoqëria “Lëvizja” ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale 12 lëndë për t’u hetuar të vrasjeve në burgje të drejtuesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe Lëvizjes Kombëtare.

Në këto lëndë kërkohet të zbardhet rasti i Fazli Greiçevcit, Vëllezërve Gërvalla, Kadri Zekës, Abaz Mehmetit dhe të tjerë.

Xhevat Bislimi, drejtor i shoqatës ‘ Lëvizja’, ka thënë se besojnë në prokurorinë e vendit që të zbardhen këto raste.

“Do t’i dorëzojmë edhe dhjetëra lëndë tjera që janë në parapërgatitje, dhe besojmë që Prokuroria Speciale do t’i hetojë këto raste deri në fund, sepse këta janë të gjithë dëshmorë të kombit dhe heronj, prandaj fati i tyre duhet të zbardhet që shoqëria jonë ta ketë ndërgjegjen e qetë”, tha Bislimi.

“Familjarët e të gjithë bashkëveprimtaret duhet të dimë se si u mbytën, si u arrestuan, si u torturuan, si u vranë, kush i ndoqi, kush e mori vendimin politik për t’i vrarë e shumë pikëpyetje të tjera”, shtoi ai.

Bajram Ajeti nga kjo shoqëri, tha se është detyrë e prokurorisë t’i ndriçojnë rastet, pasi që përgjegjësit, sipas tij, po shëtitën të lirë.

“Kemi shumë përgjegjës që enden të lirë pa rrugët e Kosovës, pa kërkuar falje për të gjitha ato të këqija e ato dëme, deri në marrjen e jetës neper burgje vetëm sepse ata e kanë dashur atdheun. Po besojmë që prokuroria t’i ndriçojë deri në fund”, tha Ajeti.