Seanca në Gjykatën e Apelit për arratisjen nga QKUK-ja FOTO- Elona Sejdullahu/KALLXO.com

Sami Lushtaku në Apel, kërkon lirim nga akuza ose zvogëlim gjobe për arratisjen nga QKUK-ja

I dënuar me 12 mijë euro gjobë për akuzën e arratisjes nga Spitali, ish-Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku doli para gjykatës së shkallës së dytë për tu ankuar për këtë vendim.

Avokati i Lushtakut,  Artan Qerkini ka kërkuar nga Gjykata që nëse nuk e liron Lushtakun të paktën t’ia zvogëlojë gjobën.

“I propozoj gjykatës që ankesa të aprovohet dhe Sami Lushtaku të lirohet nga akuza apo në alternativë dënimi me gjobë të zvogëlohet”, tha avokati.

Përderisa mbrojtja e Lushtakut kërkon lirimin e tij, Prokurorisë  Speciale nuk po i duket i mjaftueshëm dënimi me gjobë.

Prokurori Xhevat Bislimi i ka propozuar Gjykatës  së Apelit ta aprovojë ankesën e tij dhe ndaj të akuzuarve Sami Lushtaku, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zejna të  shqiptohet një dënim më i rëndë, kurse për të akuzuarit e tjerë që janë liruar të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Ankesa thotë se gjykata e shkallës së parë nuk i ka vlerësuar drejtë rrethanat rënduese dhe nuk ja ka falë besimin asnjë prove të vetme, me aktgjykimin e të cilës janë liruar të akuzuarit dhe thekson se në provat të cilat janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit e tjerë kanë kryer vepër penale.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

Aktakuza, për arratisjen nga QKUK-ja ishte ngritur me datën 17 nëntor 2016.

Prokuroria thotë se nga mëngjesi i 20 majit e deri në orët e mbrëmjes së 22 majit të vitit 2014 në objektet e Spitalit Rajonal të Prishtinës duke vepruar sipas një plani të përbashkët, derisa kanë qenë në paraburgim ata (Lushtaku, Jashari dhe Haxha), kanë ikur nga dhomat e spitalit në të cilat kanë qenë në mbajtje për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit Lushtaku, Jashari dhe Haxha janë fshehur në lokacion të panjohur duke u arratisur nga institucioni ku ata kanë qenë në bazë të vendimit të ligjshëm për privimin e tyre.

Sipas Prokurorisë, qëllimi i arratisjes nga QKUK-ja ishte mosekzekutimi i vendimit të gjyqtarit të EULEX-it, për transferimin e të akuzuarve nga Qendra e Paraburgimit të Dubravës për në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

 

Sami Lushtaku dënohet me 12 mijë euro gjobë  për arratisjen nga Dubrava