Shkollat në Deçan nuk Punuan as Sot

Mosmbajtjen e mësimit në këtë komunë e konfirmoi për KALLXO.com drejtori i Arsimit në Deçan Qazim Maloku.

Maloku tha se mësimi nuk është mbajtur për shkak të motit të lig të ditëve të fundit.

“Në Komunën e Deçanit ditëve të fundit në 70 % të territorit të saj ka pasur mbi dyzet centimetra borë. Ditën që kemi vendosur [për mosmbajtje të mësimit] ka pasur reshje të shiut, ndërsa vendimi është marrë  dhe duke e pasur parasysh që shkrirja e borës rrit nivelin e ujit nëpër rrugët e fshatrave, sidomos ato në pjesët malore,” tha drejtori Maloku.

KALLXO.com raportoi për vërshimet e gjashtë janarit në Kosovë që prekën disa komuna e më së shumti Maslishevën.

Maloku bëri të ditur se kjo e premte e pushimit do të kompensohet.

“Po ashtu në vendimin e dërguar shkollave është e cekur që  kjo ditë e humbur do kompensohet në ndonjë kohë tjetër,” tha Maloku.

Shkollat në Kosovë nuk punuan as të enjten për shkak të krishtlindjeve ortodokse.