Kushtrim Loshaj dhe Ramush Haradinaj, foto: Facebook

Ish asamblisti i AAK-së zgjedhet kryeshef i Ndërmarrjes ‘Higjiena’ në Deçan

Ish asamblisti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në mandatin 2017-2021, Kushtrim Loshaj është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Lokale ‘Higjiena’ në komunën e Deçanit.

Deçani udhëhiqet nga Bashkim Ramosaj i AAK-së.

Përzgjedhjen e kryeshefit, përmes një konkursi publik e ka bërë Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes ‘Higjiena’, ku tre prej katër anëtarëve kanë të kaluar politike me partinë që udhëheq me Deçanin, AAK-në.

Konkursi ka qenë i hapur nga data 13 prill deri më 27 prill 2022.

Në një prononcim për KALLXO.com, Kushtrim Loshaj e ka mohuar se ka pasur ndikim partia për punësimin e tij, ndërsa për shkeljet ligjore ka thënë të kontaktohet Bordi i Drejtorëve.

“Jo absolutisht nuk ka pasur (ndikim politika), pasi që unë kam qenë këtu i punësuar për një vit e më shumë si zyrtar në kompani. Edhe pas procedurave të hapura ligjore të konkursit, unë isha njëri ndër aplikuesit. Sipas Bordit kam rezultu i suksesshëm dhe jam pranu. Edhe unë nuk e shoh këtë si ndikim politik”, ka thënë Loshaj.

Ligji për Ndërmarrjet Publike thotë se Bordi i Drejtorëve e zgjedh kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes, në bazë të një procedure të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht të bëhen në bazë të meritës. Ligji thotë se Bordi i drejtorëve duhet të sigurohet që të gjithë personat e emëruar si zyrtarë, të jenë person me integritet të lartë, bazuar në nenin 17 të këtij ligji.

“..një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor nëse..(k) është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik; i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thotë neni 17.2, pika (k) e Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Në bazë të kësaj, i pyetur nga KALLXO.com se a ka shkelje të ligjit me përzgjedhjen e tij, Loshaj ka thënë se për këtë duhet të pyetet Bordi i Drejtorëve.

“Unë thash edhe më herët që kam qenë i punësuar në kompani. E kam shfrytëzu të drejtën time të aplikimit në konkurs publik, për këto pyetjet e tjera mundesh me e pyet bordin, sepse ata janë organi përgjegjës, në këtë rast”, ka thënë Loshaj përmes telefonit.

Në ndërkohë, KALLXO.com ka dërguar pyetje me email tek 4 anëtarët e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes, kryesuesit Milazim Mushkolaj dhe tre anëtarëve Genc Kameraj, Besjana Ukëhaxhaj dhe Elona Istrefaj, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ndërsa kryesuesi i Bordit, Mushkolaj, është përgjigjur përmes telefonit.

Kur është pyetur se a ka ndikuar politika dhe pozita që mbajtur Loshaj në AAK, për përzgjedhjen e tij në pozitë, Mushkolaj e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se 75% e votuesve në Deçan janë me AAK-në.

“ Jo, ne i kemi pasur katër kandidatë në konkurs. Njëri nuk i ka plotësuar të gjithë dokumentet dhe është eliminuar në fazën e parë. Tre të tjerët që kanë marrë pjesë janë poentuar, të gjithë kanë qenë përmi 50%, mandej me gojë Kushtrimi ka qenë më i vlerësuari”, ka thënë Mushkolaj përmes telefonit.

Ndërsa në pyetjen se a ka shkelje të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, ku një ish zyrtar i një partie politike zgjidhet kryeshef, Mushkolaj ka thënë se nuk e konsideron se ka shkelje të Ligjit.

“Ligji thotë ashtu, por në Kosovë nuk përfillet kërkund. Unë nuk konsideroj që ka shkelje të ligjit, se njoh ligjin nuk jam jurist, jam inxhinier me profesion, kam pasur në Bord edhe ekonomista edhe jurista. Nuk ma kanë dhënë ndonjë sugjerim që jemi duke e shkelur ligjin, nuk e kam pa ndonjë konkurs për ndërmarrjet publike që e cek që nuk duhet me qenë politik. Ne njerëzit nuk mundemi me i paragjyku, sikurse besimi në Zot, ashtu është edhe politika”, ka thënë ai.

Në lidhje me rastin është kontaktuar zyrtarisht edhe Komuna e Deçanit, por deri në publikimin e shkrimit, ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Në maj të këtij viti KALLXO.com ka raportuar se me datë 22 shkurt të vitit 2022, komisioni komunal i aksionarëve i kësaj ndërmarrjeje ka emëruar katër anëtarët e Bordit të Drejtorëve.

Tre nga anëtarët të kësaj ndërmarrje kanë të kaluar politike me partinë e kryetarit të Komunës, Bashkim Ramosaj.

Kryesuesi i bordit, Milazim Mushkolaj dhe anëtarja Besjana Ukëhaxhaj kanë qenë asamblist të AAK-së në Kuvendin Komunal të Deçanit, gjatë mandatit të kaluar. Ndërsa, Genc Kameraj ka thënë se ka shoqëri me zyrtarët e AAK-së dhe i njëjti është parë nëpër takimet e partisë se AAK-së.

 

Politizohet bordi i ndërmarrjes së Deçanit me zyrtarë të AAK-së