Drejtori i Arsimit në Deçan: Shkolla Teknike kërkesën për ekskursion e kishte bërë para grevës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Agon Batusha, sot gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës tha se nxënësit e shkollave të mesme të Deçanit kanë shkuar në ekskursion pavarësisht grevës së mësimdhënësve.

“Informatat na erdhën se shkollat e mesme të Deçanit kanë shkuar në ekskursion. Pra, greva vazhdon, por në ekskursion kanë shku” – ka thënë deputeti Batusha.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Arsimit të Komunës së Deçanit, Besnik Hulaj, i cili tha se vetëm Shkolla Teknike ka shkuar në ekskursion.

Sipas tij, eskursioni nga kjo shkollë ishte planifikuar para fillimit të grevës.

Ai theksoi se Deçani ka vetëm dy shkolla të mesme.

“Në ekskursion ka qenë Shkolla Teknike por kërkesën e kanë bërë me 24 ose 23, para grevës, para se me hy në grevë. Shkolla Teknike ka qenë ndërsa për Gjimnazin nuk e di a ka me shku apo ka shkuar. Planifikimi është bërë para se me hi në shkollë. Vetëm këto dyja i kemi”, tha ai.

Në shumicën e shkollave të Kosovës nuk ka nisur mësimi për shkak të grevës së mësimdhënësve që ka nisur më 24 gusht.

‘Përplasja’ Basha-Jasharaj për grevën – VIDEO