Foto: Komuna e Deçanit, Facebook

ZKA: Komuna e Deçanit angazhoi 113 punonjës pa procedura të prokurimit

Komuna e Deçanit gjatë vitit 2022 kishte angazhuar 113 punonjës përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta pa zhvilluar procedurat e rekrutimit, as prokurimit.

Prej këtyre punonjësve, 55 janë angazhuar në administratë komunale, në drejtori të ndryshme, 54 në shëndetësi dhe katër në arsim.

Sipas auditorit, të njëjtit janë angazhuar me vendime të kryetarit të komunës.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se për këta punonjës komuna në vitin 2022 ka paguar 323 mijë e 288 euro.

“Sipas zyrtarëve komunal angazhimi i stafit pa procedura ka ndodhur për shkak se kanë mungesë të punëtorëve dhe pamundësisë së zhvillimit të procedurave të rekrutimit si dhe nevojave për mbulimin e pozitave pas pensionimit të disa punonjësve”- theksohet tek gjetjet e Auditorit.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, emërimi i zyrtarëve në pozita të rregullta për periudhë të caktuar dhe angazhimi me kontrata për një detyrë specifike me afat më të gjatë sesa parashihet si dhe këshilltarëve pa procedura, është në kundërshtim me legjislacionin përkatës.

Andaj, sipas ZKA-së, kryetari duhet të sigurojë aplikimin e procedurave të prokurimit për angazhimin e stafit përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta.

Sa i përket Komunës së Deçanit, Auditori ka gjetur se nuk janë aplikuar procedurat e thirrjes publike për përzgjedhjen e përfituesve për financimin e projekteve të organizatave joqeveritare.

Në këtë raport thuhet se gjatë vitit 2022 Komuna e Deçanit kishte subvencionuar 11 OJQ pa thirrje publike, në vlerë 24 mijë e 200 euro.

Auditori ka theksuar se kjo ka ndodhur për shkak të funksionimit jo të mirë të kontrolleve të brendshme.

Komuna e Deçanit udhehiqet nga Bashkim Ramosaj, i cili vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Raportin e plotë me gjetjet e Auditorit për Komunën e Deçanit për vitin 2022 mund ta lexoni në këtë LINK.