Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ZKA: Komuna e Deçanit u shpërndau bursa tre studentëve që nuk plotësuan kriteret

Komuna e Deçanit përmes konkursit publik të hapur në gusht të vitit 2021, u ka shpërndarë bursë tre përfituesve të cilët nuk plotësonin kriteret e thirrjes publike.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se dy prej tyre nuk ishin studentë të nivelit Bachelor ngase ishin diplomuar në kohën kur aplikonin për bursë.

Ndërsa, një tjetër përfitues kishte qenë i angazhuar si punëtor i komunës përmes marrëveshjeve përmes shërbimeve të veçanta gjatë vitit 2020/21 si dhe ishte student në një kolegj privat.

Sipas auditorit, të tre këta kishin përfituar bursat përmes ankesave në procesin e vlerësimit të aplikuesve.

Në raportin e auditori thuhet se kushtet për konkurim ishin: Të jetë studentë i rregullt në ndonjërin nga Universitetet Publike në Kosovë, të jetë studentë i nivelit Bachelor i vitit të dytë ose më lartë. Në kushte të barabarta përparësi kishin fëmijët e dëshmorëve, personat me nevoja të veçanta, me asistencë sociale etj.

Vlera e bursës për studentë ishte 300 euro në vit.

“Sipas zyrtarëve komunal , aprovimi i ankesës ishte për shkak se dhënia e bursave ishte berë për herë të parë nga komuna dhe thirrja ishte hapur për vitin akademik 2019/2020 ku në këtë periudhë ata ishin studentë, ndërsa për rastin e tretë ishte për shkak të kushteve të rënda ekonomike”- theksohet tek gjetjet e Auditorit.

Sipas ZKA-së , dhënia e bursave për studentët që nuk plotësuan kushtet e konkursit publik paraqet diskriminim, nuk arrin qëllimin e synuar të subvencionimit të bursave si dhe mund të ndikojë në dekurajimin e studentëve meritor për të marrë pjesë në konkurset e ardhshme.

Andaj, sipas auditorit, kryetari duhet të shtojë kontrollet në procesin e vlerësimit të aplikuesve për ndarjen e subvencioneve komunale.

Komuna e Deçanit udhehiqet nga Bashkim Ramosaj, i cili vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Raportin e plotë me gjetjet e Auditorit për Komunën e Deçanit për vitin 2022 mund ta lexoni në këtë LINK.